Gjergj Vyshka 02.05.2016 07:55
Skuadra e trajnerit Klarent Dedaj ka bërë fitoren e tretë të sezonit, të dytën ndaj korçarëve, të cilët nuk e kanë bojkotuar ndeshjen e fundit të kampionatit, por kanë respektuar garën. Tirana Eagles në basketboll për meshkuj ka bërë dje “Gëzuar Pashkën”, teksa ka mundur Skënderbeun në fundin e kampionatit, ndërsa kështu ka lënë fundin e renditjes. Ishte fitorja e 3-të për skuadrën e Klarent Dedajt, dy prej të cilave ia ka marrë Skënderbeut në Tiranë, dhe, me vendin e 4-t në renditje, duket se është realizuar edhe objektivi për këtë pjesëmarrje të parë në basketbollin e meshkujve.
Kuptohet për objektiva më të mëdha sezonin e ardhshëm, ndonëse do të jetë përballë Elbasanit, Skënderbeut dhe Partizanit, ndërsa Superiori dhe Flamurtari do të diskutojnë mes tyre për një vend që elitën e basketbollit shqiptar, që njihet si Superliga. Një rol të madh në këtë pjesë të dytë të sezonit ka pasur dhe Kujtim Çaçi, i cili të paktën në ndeshjet e fundit ka qenë vendimtar për skuadrën e Klarent Dedajt. Duke mbetur tek kjo ndeshje e luajtur dje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ka pasur dhe dyshime për ardhjen e Skënderbeut.
Kjo, edhe për shkak të Pashkëve ortodokse, skuadra korçare mund kishte patur ndërmend të qëndronte në shtëpi dhe të festonte. Por nuk ka ndodhur kështu, ndërsa korçarët e trajnerit Ilir Nikës kanë respektuar garën dhe kanë luajtur të barabartë me Eagles, që ka bërë diferencën falë dëshirës më të madhe për të fituar. 17-17 është pjesa e parë, që tregon rivalitetin e madh që ekziston mes këtyre dy skuadrave. Në fushë për Skënderbeun është Duci, i cili me trepikëshat e tij, dje ka bërë katër, arrin ta dërgojë skuadrën e tij deri në pesë pikë epërsi.
Por pikërisht në fundin e pjesës së dytë fillimisht Skëndaj e më pas Prodani me trepikësha përmbysin. 16-14 në pjesën e dytë dhe, në pushim, vendësit janë në epërsi me dy pikë diferencë 33-31. Tirana Eagles i fiton dhe dy pjesët e tjera, përkatësisht 14-10 dhe 17-12 dhe në fund ka fituar me 11 pikë diferencë, 64-53 dhe kësisoj ka lënë në fund të renditje Skënderbeut. Dhe në fund të ndeshjes edhe një festë e përbashkët, sepse kjo ishte mbyllja më e bukur që Tirana Eagles ka bërë edhe në këtë festë Pashkësh.
Tirana Eagles – Skënderbeu 64-53
(17-17, 16-14, 14-10, 17-12)
Tirana Eagles: Adili (7), Çaçi (7), Prodani (7), Dashi (6), Kala (18) / Vogli (2), Zelaj (5), Skëndaj (10), Xhemali (2), Nallbani. Trajner: K. Dedaj
Skënderbeu: Topi (10), Gërmenji (3), Habip (13), Simaku (2), Thanas (9) / Duci (14), J. Kristo, Bala (2), Qazimllari, Nika. Trajner: I. Nika
Gjyqtarë: M. Kasëmi (Vlorë), Y. Harasani (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 20-të
(30 prill-1 maj 2016)
Të shtunën:
Elbasani – Ardhmëria Basket 46-67
Superiori pushim
Të dielën:
Tirana Eagles – Skënderbeu 64-53
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Ardhmëria Basket 16 14 2 1133-762 30
- Superior 16 13 3 1147-852 28
- Elbasani 16 8 8 1143-1080 24
- Tirana Eagles 16 3 13 802-1146 19
- Skënderbeu 16 3 13 887-1123 19
“Play-out”-i midis Superligës
dhe Kategorisë së Parë
Flamurtari – Superiori
Shënim: 3 takimet luhen më 11, 14 dhe 18 maj 2016, kjo e fundit nëse do të jetë e nevojshme