AlbanianSport.com 10.10.2016 21:50
ASNN – Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventura e Tiranës në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, pasi skuadra kryeqytetase e ka fituar takimin e parë, duke mposhtur Trepçën e Mitrovicës me rezultatin 78-66.
Duket se përvoja e kënaqshme e Kombëtares kuqezi në Eliminatoret e Evropianit të koshit, por edhe përforcimet e bëra kanë ndikuar pozitivisht tek basketbolli shqiptar, pasi Tirana ka qenë dominuese ndaj një kundërshtari që ka spikatur në basketbollin e Kosovës.
Ndonëse pjesa e parë është mbyllur në barazim 22-22, bardheblutë e fitojnë të dytën 21-17, duke bërë që në pushim të shkojnë në epërsi 43-39. Kryeqytetasit nuk ndalen as në pjesën e tretë, të cilën e fitojnë 19-16, duke e thelluar kryesimin në 62-55.
Kjo epërsi i ka dhënë Tiranës qetësinë e nevojshme për të administruar rezultatin, madje duke e fituar edhe pjesën e 4-t me shifrat 16-11. Përfundimisht, Tirana fiton me rezultatin e përgjithshëm 78-66, ndërsa emocionet e kësaj sfide janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.