Gjergj Vyshka 25.10.2014 16:55
28 pikë diferencë, bardheblutë e Shehut kryesues me meritë të kampionatit. Organizim i përsosur i klubit të kuq dhe forcave të rendit në Tiranë e nuk pati incidente. Tirana në basketboll për meshkuj e ka bërë të vetin derbin me Partizanin, që dje pasdite vonë është luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Për shkak të diferencave të mëdha të skuadrave derbi, edhe pse ka pasur një shikueshmëri të madhe, ka qenë i ftohtë. Thuajse si “ngrica” që ka nisur të pllakosë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit në Tiranë, kjo edhe për shkak të uljes së menjëhershme të temperaturave.
Pjesa e parë ka një farë rivaliteti, kjo dhe nga depërtimet e shpejta të Hamatit, apo dhe koshat e Ismetit e Çaçit. Por Tirana, që ka luajtur me të njëjtën pesëshe që ka pasur dhe në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Flamurtarit, nuk ka lëshuar. Ka fituar pjesën e parë 19-14. Në të dytën shpërthejnë në trepikësha Jani e Vogli, por dhe Lasku e rezultati nis të thellohet gjithnjë e më shumë. Tirana fiton 25-12 dhe në dhomat e zhveshjes shkon me epërsinë prej 18 pikësh diferencë, 44-26. Partizani e ka të vështirë të mbajë ritmin e bardhebluve.
Hamati, që ka qenë pikëshënuesi më i mirë i të kuqve, është i pasaktë në gjuajtjet e lira. Byberaj, që është një ndër lojtarët më kryesor të formacionit të Elvis Ismetit, është thuajse në hije. E për rrjedhojë Partizani e ka të vështirë të kundërpërgjigjet. Në të tretën, Partizani pavarësisht se ka ngushtuar në shtatëmbëdhjetë pikë, përsëri s’ka arritur ta balancojë lojën. Me lojën e shpejtë, por dhe me trepikësha, teksa ka shënuar dhe Durrësi, Tirana i ka vënë vulën e suksesit në pjesën e katërt, teksa ka fituar 4-15 dhe të gjithë ndeshjen 72-44.
Për shkak të trazirave që kanë ndodhur më 31 janar 2014 në ndeshjen e volejbollit të femrave, Partizani-Tirana mes “ultrasve” të të dy palëve, klubi i të kuqve i kishte marrë masat që ndeshja të kalonte pa incidente. Forcat e rendit kanë qenë të shumta dhe kanë ndërhyrë edhe atëherë kur disa nga ultrasit e kuq kanë ndezur një flakadan në sallën kryesore. Janë shoqëruar jashtë dhe më pas ndeshja ka vijuar normalisht, ndërsa të gjithë kanë shijuar atë që kanë prodhur lojtarët në fushën e lojës. Në përfundim Tirana e ka merituar fitoren.
Partizani – Tirana 44-72
(14-19, 12-25, 14-13, 4-15)
Partizani: Hamati (18), Çaçi (7), Byberi (5), F.Ismeti (4), Fjolla / Tafaj (4), Gozhdari, Merkaj (2), Kristo, Sukaj (4). Trajner: E. Ismeti
Tirana: Jani (10), Gjyzeli (5), Durrsi (5), Hasani (2), Lasku (14) / Gjonaj (16), Vaqarri (8), Vogli (10), Roshi (2). Trajner: B. Shehu
Gjyqtarë: E. Koçi, A. Bejko (Tiranë), E. Hoxhaj (Vlorë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Java e dytë
(24-25 tetor 2014)
Partizani – Tirana 44-72
Flamurtari – Vllaznia 67-81
Apolonia – Kamza Basket (sot, ora 17:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 2 2 0 154-103 4
- Vllaznia 2 2 0 162-124 4
- Partizani 2 1 1 112-135 3
- Flamurtari 2 0 2 126-163 2
- Kamza Basket 1 0 1 63-68 1
- Apolonia 1 0 1 57-81 1