Gjergj Vyshka 06.09.2016 08:55
Liga Ballkanike dhe pjesëmarrja në këtë veprimtari e ka detyruar skuadrën bardheblu të meshkujve të bëjë lëvizje. Roland Avrami në postin e trajnerit të femrave, Borova e Ago, ndihmës tek djemtë. Tirana e basketbollit të meshkujve, e cila do të jetë përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në Ligën Ballkanike për sezonin 2016-2017, që nis më 11 tetor, e ka marrë seriozisht këtë pjesëmarrje.
Dhe për një përfaqësim ndryshe gjërat tek bardheblutë kanë nisur që më lëvizjet paralele nëpër stolat brenda klubit, sepse skuadra kërkon të ketë në krye një trajner të huaj. Kjo është alternativë e kohës, por që edhe vetë drejtori i klubit ish-basketbollisti i njohur i Tiranës i viteve 70-80, Spiro Koleka, e ka të qartë. Ndaj Roland Avrami ka kaluar tek ekipi i të rriturave si trajner i parë.
Kurse Erdal Borova, që është njëkohësisht dhe trajneri i kombëtares së femrave, ka kaluar ndihmëstrajner së bashku me Onald Agon tek ekipi i parë. Por cilat janë alternativat për trajnerin e huaj? Koleka, në fakt, sipas të gjitha burimeve ka kërkuar dhe ndihmën e sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i cili në rolin e vëzhguesit të Federatës Evropiane dhe Botërore të Basketbollit ka njohje dhe lidhje ndërkombëtare.
Për më tepër që në një rol të tillë është dhe në Ligën Ballkanike. E jo më kot edhe të shtunën ai është takuar me tre gjyqtarët e ndeshjes Shqipëri-Mali i Zi 73-113, që ishin greku Petros Papapetrou, italiani Alesandro Martolini dhe rusi Semen Ovinov. Por mbi të gjitha është takuar dhe me homologun e tij, kroatin Dragan Median, i cili ishte në rolin e vëzhguesit.
Dhe Melsin Lazimi, i cili do të jetë në rolin e koordinatorit për Tiranën në Ligën Ballkanike, si dhe njeriu për merkaton e bardhebluve, ka zbuluar dhe tre emrat që janë kandidaturë për trajnerë të kryeqytetasve. I pari është slloveni Ziga Mravljak, i dyti maqedonasi Sllobodan Petrovski dhe i treti ndihmëstrajneri i Malit të Zi në basketboll për meshkuj Boshko Radoviç.
Dhe midis tyre, edhe pse mund të ketë një kosto financiare, duke i shtuar dhe lojtarët që do të merren, ku nuk përjashtohet mundësia për të huaj, Tirana duhet të zgjedhë një. Dhe është e qartë se gjithçka do të ndodh shpejt, sepse më 11 tetor do të nisë Liga Ballkanike. E Tirana sivjet me këtë pjesëmarrje në Ligën Ballkanike ku shpreson të jetë sa më dinjitoze duket se do të ketë objektiva madhore që lidhen me fitimin e titullit kampion dhe të Kupës së Shqipërisë, e pse jo dhe me Kupën e Shqipërisë.