AlbanianSport.com 13.01.2017 13:45
ASNN – Tanimë është një fakt i pamohueshëm, i konfirmuar edhe nga ndërrimi i 3 trajnerëve brenda një gjysmësezoni. SIGAL Prishtina po përjeton krizë të rezultateve, sidomos në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, ku është kampione në fuqi e dy edicioneve të fundit.
Skuadra e bardhekaltërve të kryeqytetit të Kosovës renditet e fundit në Grupin A të kësaj veprimtarie rajonale, me pak gjasa për të avancuar në turin tjetër, atë çerekfinal, që gjithashtu do të zhvillohet me sistem grupesh. Por mes krizës që po përjeton dhe rezultateve që kishte dhe i ka për synim ende, e ndan një vijë e hollë, fare e hollë.
SIGAL Prishtina ka humbur plot 5 ndeshje këtë sezon të basketbollit vendas, atij rajonal dhe atij evropian, pas shtesa 5-minutëshe dhe e ka fituar vetëm një. Tri i ka humbur në “FIBA Europe Cup”, një në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj dhe një në Superligën e Kosovës.
Ka fituar atë të Ligës Ballkanike kundër Teodos, duke triumfuar me shifrat 98-93 si vendase. Ndërsa, aventura në “FIBA Europe Cup” është harruar tashmë, ajo në Ligën Ballkanike dhemb më shumë, pasi skuadra nga kryeqyteti i Kosovës është konsideruar edhe për këtë sezon favorite për të fituar titullin.