Nga Gjergj Vyshka 08.09.2016 14:30
Shqipëria e basketbollit të meshkujve e ka humbur dhe ndeshjen e tretë eliminatore në Kampionatin Evropian 2017, ndërsa dje në mbrëmje ka dalë e mundur në mënyrë të pamerituar nga Pallati i Sportit “Mestska Sportova Hall” në Prievidza. Një impiant me një kapacitet prej 1,650 vendesh të ulura, atje ku kanë qenë të pranishëm 800 vetë, por që ishte edhe më keq se sa Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. I përqendruar si një fushë për hendboll kishte shumë viza jo vetëm të kësaj disipline sportive, por dhe të volejbollit, të cilat drejtuesit e impiantit me urdhrin e vëzhguesit hungarez, Plamen Gençev, ishin munduar t’i hiqnin.
Ndonëse gjurmët ishin të pranishëm e nuk dihet në këtë rast nëse do të gjobiten sllovakët, apo jo. Sepse është e sigurt se si kur të kishte ndodhur tek ne, do të na vinin gjobat. Ne i mirëpresim skuadrat në Tiranë, kurse sllovakët, si në asnjë vend tjetër, na kanë dërguar tre orë larg sepse nga Bratisllava janë 194.89 kilometra, kurse nga Vjena, ku na kanë pritur, ishte 300 kilometra. Që i bie që ndeshjen e kthimit me Sllovakinë ta bëjmë në Përmet, gjithnjë nëse do të na lejonte Federata Evropiane e Basketbollit. Por nuk jemi kaq hakmarrës, edhe pse dje realisht sllovakët na kanë rënë në qafë me gjyqtarët e në një farë mënyre na kanë “vjedhur”.
Sidomos bashkëjetesa mes kroatit të stolit së Sllovakisë, Ivan Rudez, dhe gjyqtarit kroat, Josip Radojkoviç, ka funksionuar. Mjafton të kujtosh protestën e Kostantinidesit në pjesën e parë kur në një aksion të Shqipërisë të ndërtuar nga Broudus dhe tentuar të finalizohej nga Hysenagolli nuk është dhënë faull në dëm të kuqezinjve. Ka vazhduar aksioni dhe Sllovakia ka shënuar, ndërsa trajneri jonë ndëshkohet me gabim teknik. Jo vetëm kaq, por duke mbajtur peshën kryesore të sulmit, Hysenagolli ka qenë gjithnjë nën ndërhyrjet e kundërshtarit duke e gërvishtur atë, por asnjëherë nuk ka faull në dëmin e tij.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh që kemi luajtur në kushte krejtësisht të barabarta, madje me një hap më shumë se sa Sllovakia. E nëse sot ndihemi ne fituesit moral e të pashpërblyer, në Tiranë më 17 shtator është e mundshme për të kthyer reston dhe për t’i mbyllur eliminatoret me fitore. Sepse të gjithë kuqezinjtë e meritojnë. Një humbje e pamerituar me një kundërshtar të nivelit tonë, por përtej gabimeve këtë herë s’ke çfarë u kërkon. Një lodhje e madhe në udhëtim e kuqezinjtë Tiranë-Podgoricë me autobus, Podgoricë-Vjenë me avion dhe Vjenë-Prievidza me autobus, sepse kështu dukej sikur sllovakët na shkurtonin punë në udhëtim.
Mirëpo ka qenë më gjatë se sa nga Bratisllava, 300 kilometra e tre orë me autobus. E jo vetëm kaq, por dhe gjyqtarët në kurriz. E Shqipëria e basketbollit ka merituar shumë e më shumë.