Gjergj Vyshka 02.12.2016 17:05
“Jam mësuar me të tilla fitore dramatike. Unë Pejën e mposht këtu në Tiranë dhe në Prishtinë. Ua kam bërë të qartë nga hera atyre (qesh). Është një shaka e imja kundrejt tifozëve pejanë.” Kështu e ka nisur deklaratën e tij Gerti Shima në përfundim të ndeshjes Tirana-Peja 76-73.
“Ka qenë një lojë shumë e fortë. Dy pjesët e para kemi qenë shumë keq në zotërim e lojës, sidomos në mbrojtje. Por më pas ia dolëm të bënim përmbysjen. Ka qenë merita e gjithë e ekipit. Nuk u dorëzuam dhe do të vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm”, – ka thënë Shima, që më tej do të vazhdonte: “Tirana e këtij sezoni ka për dhuruar mjaft surpriza.”
“Përveç fitores së Kupës së Shqipërisë, kjo e sotmja ishte një sukses që askush nuk e priste, – ka vijuar ai. – Por ia arritëm ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi luajtur 5 ndeshje në 10 ditë dhe është e justifikueshme si lodhja dhe mospërqendrimi i skuadrës. Tirana këtë vit, përveç se do të sfidojë gjithçka në Shqipëri, në Ligën Ballkanike do të jetë e kualifikuar për në turin e dytë”.