AlbanianSport.com 18.10.2014 20:30
Tirana në basketboll për meshkuj e ka nisur me fitore kampionatin, teksa dje pasdite, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, ka triumfuar lehtësisht ndaj Flamurtarit, 82-59. Megjithatë tiranasit e Bujar Shehut kanë ende vende për përmirësime në lojën e tyre, që në fund të takimit i ka pranuar dhe vetë trajneri i bardhebluve. Sipas tij kërkohet një lojë më në grup dhe jo individuale.
“Kjo ishte ndeshje që mund të përfundonte dhe me 40 pikë, – ka deklaruar veterani i pankinës së bardhebluve të koshit. – Por megjithatë themi se gjatë kohës do të vijmë duke u përmirësuar. Kemi marrë Gjonaj, i cili është vetëofruar në skuadrën tonë, teksa ka qenë pjesë e Kamza Basket. Por presim dhe një lojtar tjetër. Shpresojmë që të kemi një sezon të mbarë.”
Shehu ka theksuar që ka mbetur i pakënaqur për nivelin e gjykimit të djeshëm. Ndërkohë, në mungesë të shkuarjes në stadium, ndërsa Tirana e futbollit, që nga ngjarja në Shkodër, vazhdon t’i luajë ndeshjet e saj pa tifozë, grupimi bardheblu, “Fanatiskat” janë mbledhur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, atje ku kanë mbështetur skuadrën bardheblu.
Dhe në fakt, ajo sallë sot do të jetë stadiumi i tyre për ndeshjen e futbollit me Kukësin, ndërsa do të vendoset një ekran i madh, teksa do të mbështetet skuadra e Maganit me këngë dhe brohoritje. Përgjatë ndeshjes ata kanë hedhur dhe letra, duke krijuar një borë artificiale, e cila më pas ka mbuluar fushën. Dhe është kërkuar ndërprerja e lojës për disa minuta dhe pastrimi i parketit.
Përtej kësaj, gjatë gjithë ndeshjes fansat bardheblu kanë mbështetur ekipin, ndërsa nuk ka munguar as thirrja “Shqipëri Etnike”. E përfundimi i ndeshjes ishte festa në parket së bashku me lojtarët
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Java e parë
(16-17 tetor 2014)
Vllaznia – Apolonia 81-57
Tirana – Flamurtari 82-59
Kamza Basket – Partizani 63-68
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Vllaznia 1 1 0 81-57 2
- Tirana 1 1 0 82-59 2
- Partizani 1 1 0 68-63 2
- Kamza Basket 1 0 1 63-68 1
- Flamurtari 1 0 1 59-82 1
6. Apolonia 1 0 1 57-81 1