AlbanianSport.com 09/01/2018 16:05
ASNN – Në kampin kuqeblu të basketbollit për meshkuj ka lëvizje, madje edhe shumë të shpejta. Bëhet fjalë për mbështetjen e premtuar kësaj skuadre, e cila për hir të së vërtetës po kalon momentet më të vështira të saj. Lajmi vjen zyrtarisht nga ana e drejtorit të klubit sportiv Vllaznia, Mark Kroqi, i cili për mediat bën të ditur se në orët e mesdites të së premtes në zyrat e klubit kuqeblu janë paraqitur përfaqësues të presidencës së mëparshme si dhe ato që janë ofruar për të marrë drejtimin e ri.
Konkretisht në zyrën e zotit Kroqi kanë qenë ish-presidenti i basketbollit shkodran, Sokol Dibra, i cili pas një marrëveshje mes palëve kanë rënë dakord që në postin ai mbante deri më tani të vijonte këtë detyrë kolegu i tij, Alban Xhaferi. Nga sa bëhet e ditur, në praninë e drejtorit të klubit palët në fjalë kanë bërë zyrtarisht edhe veprimet përkatëse, duke u emëruar kështu biznesmeni Xhaferi në krye të skuadrës shkodrane të basketbollit të meshkujve.
Edhe pse ndryshimet në fjalë pritet të bëhen publike mesjavën e ardhshme, burime zyrtare pranë klubi shkodran bëjnë të ditur se me ardhjen e presidentit shkodran ka filluar menjëherë edhe ndryshimet në gjirin e skuadrës kuqeblu. Konkretisht bëhet e ditur se në cilësinë e drejtorit teknik të basketbollit shkodran është emëruar ish-basketbollisti i njohur shkodran, Altin Halili, ndërkohë që paraditen e së shtunës në Shkodër pritet të mbërrijë një trajner kroat, Neven Plantak.
Është ai që do të marrë udhëheqjen e skuadrës së basketbollit të meshkujve. Nga sa bëhet e ditur, kroati Plantak do të udhëtojë menjëherë drejt qytetit të Durrësit për të ndjekur nga tribuna ndeshjen Goga Basket-Vllaznia, e vlefshme për Superligën e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, ndërkohë që zyrtarisht punën me këtë skuadër do ta nisë ditën e hënë, me seancën stërvitore që do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”.
Së bashku me trajnerin kroat Neven Plantak në këtë séance pritet të jenë të pranishëm edhe 3 basketbollistë të huaj, që të tre amerikanë, Malik Montell Karter, Majkëll Antoni Handli dhe Ostin Kristopher Dasent. Me këto lëvizje të fundit, drejtuesit e klubit shkodran janë të bindur se situata në skuadrën kuqeblu do të nisë menjëherë të përmirësohet.