Gjergj Vyshka 25.02.2017 17:05
Administratori i përgjithshëm i Klubit Shumësportësh bardheblu, Anxhelo Koleka, nuk e ka përtypur mirë vendimin e gjyqtarit Jetmir Gokaj për gabim teknik përjashtimi ndaj Endrit Hysenagollit.
“Një pyetje të thjeshtë do të bëj, a ka komision që vlerëson e ndëshkon gjyqtarët për gabimet e tyre?”, – ka thënë ai. – Sepse, është i njëjti gjyqtar që po në Durrës, kur Shimën e rrëzuan në tokë, jep teknik për ne.”
“Ne jemi skuadra që gjobitemi me miliona për çfarë se gjyqtarët janë tendencioz dhe na ndëshkojnë, – ka vijuar administratori bardheblu me pretendimet e tij. – Nuk është normale.”
Ndërsa Hysenagolli ka treguar se në Kosovë, atje ku basketbolli ka tjetër nivel në krahasim me vendin tonë, ka një komision tekniko-gjykues, i cili bën vlerësimin për gjyqtarët mbi bazën e relacioneve.
“Mos ju duket çudi, por në Kosovë gjyqtarët dënohen dhe 3 e 4 javë pezullim kur gabojnë, – ka këmbëngulur qendra e Tiranës. – Pse duhet të paguajmë ne gabimet e gjyqtarëve?!”
Megjithatë, bardheblutë e koshit, edhe duke i aktivizuar të gjithë lojtarët, me përjashtim vetëm të amerikanit Xhonson, që ishte i dëmtuar, kanë fituar me lehtësi dje ndaj Ardhmërisë, 70-111.