Gjergj Vyshka 26.10.2016 11:35
Menaxheri i përgjithshëm i Tiranës tregon vuajtjet e bardhebluve: E njëjta treshe gjyqtarësh si në Kavadarci, Gavraniç e Lasku kanë dalë të dëmtuar. Pati dhe ngacmime nga grupe të rinjsh që ngrinin tre gishtat lart dhe thërrisnin: “Forca Serbia, F**k You Albania”. “Na masakruan në Nikshiq…!”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për gazetën “Sport Ekspres”, menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit të Tiranës, Anxhelo Koleka, një ditë pas ndeshjes së cilën bardheblutë e kanë humbur 61-77.
Humbja e dytë në Ligën Ballkanike, e cila vjen një javë pas asaj në Kavardaci të Maqedonisë, atje ku MKK Feni Industriers fitoi 57-98 ndaj Tiranës. Ironia e fatit është fakti se si ndaj MKK Feni Industriers, por dhe ndaj Sutjeskas së Nikshiqit, treshja e gjyqtarëve ka qenë e njëjtë. Bëhet fjalë për tre boshnjakët Dragan Kralj, Ernad Karoviç dhe Mila Kavara. “Sigurisht, – thotë Koleka, – që nuk është normale që e njëjta treshe të të gjykojë brenda një jave dy herë.”
“Ne nuk protestojmë, apo të ankohemi në Ligën Ballkanike, por shohim rrugën tonë e të jeni të sigurt se do të jemi në tetëshen e skuadrave më të mira të këtij aktiviteti, – ka vijuar ai. – Por sërish kemi vuajtur vendimet e gjyqtarëve, sikundër kemi vuajtur dhe lojën e ashpër të malazezëve, që kaluan më pas në dëmtime të lojtarëve. Gavraniç e Lasku janë viktima të kësaj loje.”
“E megjithatë ne nuk mërzitemi, por ecim përpara”, – ka përfunduar menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit të Tiranës, Anxhelo Koleka. Ndeshja e radhës në Ligën Ballkanike për Tiranën do të jetë më 9 nëntor, ndërsa do të jetë përballë Karpos Sokolit 2000 në Shkup.