Gjergj Vyshka 12.09.2016 19:50
Flet për herë të parë trajneri maqedonas i koshit bardheblu: “Shkupi dhe Tirana janë një tashmë dhe nuk ishte e vështirë të vendosja që të vija e të punoja këtu. Një sfidë e madhe për mua.” Sllobodan Petrovski, maqedonasi i stolit të Tiranës në basketboll për meshkuj, e ka nisur tashmë zyrtarisht punën e tij si drejtuesi i kësaj skuadre. Me të ka ardhur dhe serbi Luka Petroviç, ndërsa priten dhe tre amerikanë, pa harruar dhe kontributin e lojtarëve shqiptar.
Mbi të gjitha të Voglit dhe Laskut për të cilët trajneri maqedonas i Tiranës, Sllobodan Petrovski, është ndalur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” për t’i parë në ndeshjen e kombëtares sonë ndaj Gjeorgjisë. Petrovski ka qenë edhe 22 vjet më parë në atë impiant me kombëtaren e Maqedonisë, ndërsa përmend se miqtë e tij janë Artan Kuqo dhe Dritan Mema. Vlerëson që në atë periudhë basketbolli shqiptar ka qenë në një nivel më të mirë se sa sot.
Por kjo nuk do të thotë se ai ka ardhur për shëtitje. “Në radhë të parë për një Tiranë dinjitoze në Ligën Ballkanike dhe në radhë të dytë për ta kthyer këtë skuadër tek titulli kampion me kontributin e të gjithëve”, – thotë Petrovski në intervistën e tij për Sport Ekspres, intervistë të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu të plotë:
– Sa e vështirë ishte të vendosje për të drejtuar një skuadër të basketbollit shqiptar kur dihet që niveli nuk është atje ku mendohet?
– Aspak e vështirë. Shkupi dhe Tirana tashmë janë një dhe unë jam si në shtëpinë time. Është një sfidë që më pëlqen dhe falënderoj drejtuesit e klubit të Tiranës, mbi të gjitha drejtorin e saj Spiro Koleka, për mundësinë që më ofroj. Dhe unë do të jap më të mirën për ta kthyer këtë klub në atë nivel që ka qenë më parë.
– Por Tirana ka vite që nuk merr pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare. Është ky një minus?
– Kjo është e vërtetë. Por megjithatë ne jemi duke menduar të sjellim disa përforcime nga jashtë për krijimin e një skuadre model në kampionatin shqiptar dhe në Ligën Ballkanike, atje ku duhet të jemi më shumë se sa dinjitoz. Kemi dhe dy lojtarë të cilët janë pjesë e kombëtares që për skuadrën janë një vlerë e shtuar. E në të tilla kushte mendoj se do të kemi një skuadër të mirë.
– Çfarë dini për basketbollin shqiptar në këto vitet e fundit?
– Unë kam qenë përpara 22 vjetësh në këtë pallat sporti kur luaja me kombëtaren e Maqedonisë. Dy miqtë e mi shqiptar me të cilët komunikoj të asaj periudhe janë Artan Kuqo dhe Dritan Mema. Besoj që niveli i basketbollit shqiptar ka qenë shumë më i mirë në ato. Por ama nuk kemi pse dekurajohemi, sepse me pak gjë do të mund të ndërtojmë një Tiranë të aftë për t’u përballur si ndërkombëtarisht, ashtu dhe në kampionat, apo dhe në të gjitha aktivitetet kombëtare të këtij sezoni.
– A është problem që skuadra, që nga momenti që ka përfunduar sezoni, në maj, e deri më tani, ka qenë për një kohë të gjatë pushimi?
– Ne do të hymë në një stërvitje intensive për gati një muaj dhe gjithçka do të jetë gati. Aq më tepër që një pjesë e mirë e lojtarëve e kanë marrë një përgatitje, sidomos ato që kanë qenë në përfaqësuese.
– Së fundi, një objektiv?
– Së pari e dua Tiranën “kampione” të Shqipërisë dhe më pas të paraqitet denjësisht në Ligën Ballkanike.