Gjergj Vyshka 03.12.2014 11:35
Partizani në basketboll për meshkuj është gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, por dje ka vuajtur në një masë shumë të madhe nënvlerësimin ndaj skuadrës fierake e drejtuar nga Darian Adhamidhin. Pa Byberajn dhe pa Sukajn, por me idenë e aktivizimit të lojtarëve të tjerë, skuadra e Elvis Ismetit e ka zgjidhur këtë ndeshje vetëm në sekondat e fundit të pjesës së katërt, atëherë kur ka fiksuar dhe rezultatin përfundimtar 76-71. Nga një fillim i vrullshëm i lojës prej të kuqve, të cilët kanë kryesuar deri në 12-2, ka ardhur një rënie drastike, e shoqëruar me humbje të sulmeve dhe të gjuajtjeve.
Prej kësaj përfiton Apolonia, e cila e organizuar në mënyrë fantastike nga Alimemaj, por dhe duke pasur lojtarë si Prifti, Lekndreu, Zh. Ajdhoni, apo dhe Bushati, arrin të rekuperojë. Dhe me një epërsi të pjesshme 6-16 pjesa e parë është mbyllur në barazim 18-18. Megjithatë Partizani nuk dorëzohet. Pjesa e dytë, e cila ka shfaqur dhe dëshirën e të dy ekipeve jo vetëm për të fituar, por dhe për të qenë finalistë të Kupës së Shqipërisë, ka prodhuar dhe shumicën e pikëve të ndeshjes. Madje shënohen 54 pikë në total.
Por ky dhjetëminutësh i dytë i ndeshjes është fituar nga Partizani, 31-23 dhe në pushim të kuqtë kanë shkuar me epërsinë prej 8 pikësh në dhomat e zhveshjes, 49-41. Pjesa e tretë, jo vetëm për nga gabimet e të dyja skuadrave, por dhe nga niveli i paraqitur është më e dobëta. Ka fituar Apolonia 10-13 dhe Partizani kryeson vetëm me pesë pikët diferencë 59-54. Gabimet personale i lënë skuadrat pa lojtarë, ndërsa tek Partizani kanë dalë njëri pas tjetrit Pregja, Çaçi dhe në fund edhe Merkaj. Kurse tek Apolonia, i ndëshkuar ka dalë Ajdhoni.
Dy gjuajtjet e lira në sekondat e fundit të Ismetit kanë fiksuar dhe rezultatin përfundimtar 76-71 për Partizanin, që kështu shpëtoi sepse fierakët nuk besuan më shumë në forcat e tyre. Pasi të paktën për atë lojë që paraqiten në parket të habit se si janë në vendin e fundit dhe pa asnjë fitore. Megjithatë të kuqtë janë në finalet e Kupës së Shqipërisë, teksa vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive në fushën e tyre.
Partizani – Apolonia 76-71
(18-18, 31-23, 10-13, 17-17)
Partizani: Hamati (16), Pregja (3), Çaçi (15), Kristo (8), Fjolla (5) / Gozhdari (7), Dervishi (3), Laçi (3), Merkaj (3), Ismeti (13), Hysa. Trajner: E. Ismeti
Apolonia: Adem (2), Zh. Ajdhoni (6), Alimemaj (9), Lekndreu (18), Prifti (18) / V. Ajdhoni (3), Prodani (2), Sauli (3), Tegu (5), Bushati (5). Trajner: D. Adhamidhi
Gjyqtarë: G. Hoxha (Tiranë), H. Trajer, J. Gokaj (Shkodër)
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Meshkuj
Çerekfinalet:
2 dhjetor:
Vllaznia – Elbasani 100-83
Kamza Basket – Flamurtari 79-36
Partizani – Apolonia 76-71
3 dhjetor:
Tirana – Studenti (17:00)