Mbajtja e takimeve gjysmëfinale dhe finales së Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj në qytetin e Shkodrës është hasur me opinione dhe komente të ndryshme, të cilat kanë qenë kundër përzgjedhjes së Federatës Shqiptare të Basketbollit. Ndaj këtyre deklaratave nuk ka munguar reagimi i menjëhershëm i shkodranëve, të cilët përmes një deklarate për shtyp japin argumentet e tyre për këtë rast.
“Një koment i tillë është sa fyes, cinik dhe racist, pasi nuk e dimë se ku bazohen për ta quajtur degdisje vendimin e Federatës që ndeshjet të luhen në qytetin e Shkodrës”, – thuhet mes të tjerash në deklaratën e kuqebluve. – Shkodra është qyteti ku kanë lindur sportet, ndërsa i ka dhënë tonin basketbollit duke u përballur me dinjtet, jo vetëm me tre ekipet e kryeqytetit, por dhe të mbarë vendit.”
“Jo vetëm kaq, por Vllaznia në shumësportësh ka aq disiplina sa ka Tirana, Partizani dhe Dinamo së bashku, – thuhet në vijim në reagimin e klubit shumësportësh shkodran. – E kur bëhet fjalë për masivizim, nuk besojmë se masivizimi nënkupton zhvillimin e veprimtarive vetën në Tiranë. Le pastaj kur sheh se sa herë që janë zhvilluar veprimtari në Tiranë është dashur që me ekipin të vijnë edhe sportdashësit nga qyteti i Shkodrës për të mbushur pallatin e sportit “Asllan Rusi”.”
“Shkodra është qyteti që e meriton më shumë se kushdo tjetër që të zhvillohen evente të tilla sportive”, – përfundon reagimi i klubit shumësportësh “Vllaznia”.