Gjergj Vyshka 09.09.2016 15:15
14 orë udhëtim nga Prievidza e Sllovakisë, ku të mërkurën kombëtarja e Shqipërisë është mundur në mënyrë të pamerituar 60-69, për të mbërritur në Tiranë. Të nisur diku rreth orës 6 të mëngjesit nga hoteli kuqezinjtë e basketbollit kanë udhëtuar për tre orë drejt Vjenës dhe vetëm në ora 12:45 janë nisur drejt kryeqytetit të Malit të Zi Podgoricës.
Madje në të njëjtin orar është ngritur dhe avioni Vjenë-Tiranë aq sa nga basketbollistët e kombëtares ka dhe batuta humoristike. Sepse nga Podgorica kanë udhëtuar dhe dy orë të tjera drejt Tiranës dhe vetëm në orë 19:15 të mbrëmjes kanë qenë në rrethrrotullimin e Zogut të Zi aty ku disa janë shpërndarë nëpër shtëpia e të tjerë në hotelin “Comfort”, ku dhe qëndron e grumbulluar përfaqësuesja e Shqipërisë.
Parë kështu, trajneri Antonis Kostandinides e ka anuluar stërvitjen e së enjtes në mbrëmje për të punuar sot me dy seanca dhe një të shtunën në mëngjes. E vetëm kështu do të mund të jetë gati për të përballuar Gjeorgjinë një pretendent për t’u kualifikuar për në fazën finale të Kampionatit Evropian 2017.