AlbanianSport.com 15.11.2016 08:00
ASNN – Veprimtaria e dytë e koshit shqiptar të meshkujve, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur dje 3 takimet e para të çerekfinaleve, duke konfirmuar Vllazninë, Teutën dhe Ardhmëria Basket, ndërsa skuadra e 4-t do të njihet sot, pasi do të dalë nga dueli midis Tiranës dhe Kamza Basketit, që do të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, duke nisur nga ora 17:00.
Në takimet e zhvilluara dje, Vllaznia ka korrur një fitore komode në shtëpi ndaj Partizanit, duke triumfuar me shifrat 78-55 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Akoma edhe më e thellë ishte fitorja që Teuta korri në fushën e vet ndaj Elbasanit, në takimin që durrsakët e kthyen praktikisht në një seancë stërvitore, pasi e morën atë me rezultatin 118-52.
Në takimin e fundit, Ardhmëria Basket, ashtu sikurse mund të parashikohej dhe mund të mendohej ende pa u luajtur ndeshja çerekfinale me Tirana Eagles Basket, është gjysmëfinaliste e veprimtarisë së dytë më të rëndësishëm të basketbollit shqiptar. Një fitore me 37 pikë diferencë, jo vetëm që e ka rehabilituar skuadrën e Afrim Bilalit, e cila në kampionat kishte 4 javë pa fituar.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Meshkuj
Çerekfinalet:
Të martën:
Vllaznia – Partizani 78-55
Ardhmëria Basket – Eagles Basket 85-48
Teuta – Elbasani 118-52
Të mërkurën:
Tirana – Kamza Basket ora 17:00