Gjergj Vyshka 21.10.2016 09:45
Tirana me mbingarkesë, sot në Kamëz, të hënën, në Nikshiq me Sutjeskën. Bardheblutë kanë mbërritur nga Kavadarci i Maqedonisë në ora 05:00 të mëngjesit të së enjtes dhe e kanë gjetur justifikimin e humbjes me MKK Feni Industriers: “Ruajtëm forcat për të hënën…” Por dhe vetë lojtarët e pranojnë se kanë luajtur keq. Kështu është shprehur dhe Endrit Hysenagolli për “Sport Ekspres”: “Luajtëm keq”.
“Nuk ishte ndonjë skuadër e nivelit të lartë dhe shumë e fortë, – ka vijuar ai. – Por megjithatë kemi ende mundësi për të bërë më të mirën në këtë Ligë. E dimë që do të jetë e lodhshme duke luajtur sot ndaj Kamza Basket dhe të hënën ndaj Sutjeskës së Nikshiqit, por shpresojmë që shpejt të kthejmë faqen e rezultateve”. E ndërkohë Tirana ka bërë thjesht një stërvitje relaksuese e çlodhëse dje, sot do të jetë në ndeshje në kampionat, të shtunën përsëri stërvitje e të dielën merr rrugën për në Nikshiq.
E ky ndryshim programi, ndërsa ndeshja me Sutjeskën e Nikshiqit ka qenë për t’u luajtur të mërkurën, të paktën edhe sipas menaxherit të përgjithshëm të Tiranës në basketboll për meshkuj, Anxhelo Koleka, ka ardhur për faktin se Federata Ballkanike nuk ka gjyqtarë në dispozicion për të mërkurën. Sepse Liga Ballkanike luhet paralelisht me të gjitha veprimtaritë e Kupave të Evropës në basketboll.