Gjergj Vyshka 09.11.2016 08:50
Tirana në basketboll për meshkuj, ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë, ka humbur në Shkup ndaj Karpos Sokolit 2000 74-78 për 43 sekonda. E megjithatë, teksa konsiderohet një ndër transfertat më të mira të bardhebluve në Ligën Ballkanike, menaxheri i përgjithshëm i Tiranës, Anxhelo Koleka, ka deklaruar se është krenar për këtë skuadër.
“Jam krenar për këto djem dhe për këtë staf, – ka thënë ai, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. – Çdo ditë e më shumë ekipi po përmirësohet dhe jemi duke marrë komplimente të vazhdueshme për nivelin e lojës nga ndërkombëtarët. Sepse jemi duke nderuar basketbollin shqiptar në nivelin ballkanik. Humbja është pjesë e lojës, ndërsa 20 sekondat e fundit ishim barazim.”
“Po ky është sporti, ndaj dhe është kaq i bukur. Humbin ata që marrin pjesë dhe jo ata që e shohin ndeshjen nga televizori. Me këtë nivel loje që treguam, me një superlojtar si Gerti Shima, i cili e tregoi se është një ndër basketbollistët më të mirë në Ballkan, Tirana është e sigurt se do të jetë në tetë ekipet më të mira të Ballkanit”, – ka përfunduar, menaxheri i përgjithshëm i Tiranës, Anxhelo Koleka.
Ndërkohë, sipas tij, Klubi i Tiranës në basketboll për meshkuj, sot do të jetë në konferencë për shtyp në mjediset e Sallës Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Një konferencë që do të zhvillohet në ora 09:00 të mëngjesit, atje ku pritet të bëhet dhe një prezantim zyrtar i Shimës, por dhe shpallja e planeve në vazhdim të bardhebluve që sivjet kanë objektiva madhor.