Gjergj Vyshka 26.10.2016 13:25
Duke u ndalur tek ndeshja me Sutjeskan e Nikshiqit, menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit të Tiranës, Anxhelo Koleka, branon se “black-out” që skuadra pati në pesë minuta në pjesën e dytë, e penalizoi atë në përballjen me malazezët. “Duhet të dimë, – theksoi ai, – se Sutjeska, ashtu sikurse Karpos Sokoli 2000 janë pjesëmarrëse në Ligën e Adriatikut.”
“Si të tilla me këtë mbingarkesë nuk është se janë në maksimumin e tyre, – ka vijuar Koleka. – Skuadra jonë, krahasuar me ndeshjen ndaj MKK Feni Industries, ka bërë një ndeshje shumë më të mirë. Por jemi penalizuar që në pjesën e dytë, kur me vendime krejtësisht absurde na janë ngarkuar lojtarët me tre gabime personale. Kemi rekuperuar në pjesën e tretë, ndërsa kemi ngushtuar deri në 7 pikë diferencë.”
“Por sërish kemi vuajtur vendimet e gjyqtarëve, sikundër kemi vuajtur dhe lojën e ashpër të malazezëve, që kaluan më pas në dëmtime të lojtarëve, – ka përsëritur menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit të Tiranës, Anxhelo Koleka. – Gavraniç e Lasku janë viktima të kësaj loje. E megjithatë ne nuk mërzitemi a as nuk do të qurravitemi, por ecim përpara”.