Gjergj Vyshka 10.01.2016 07:05
Merkatoja e dimrit në basketboll për meshkuj ka lëvizur tashmë edhe në Kategorinë e Parë. Superior Klima, skuadra e të rriturve që drejtohet nga Eduard Çarçani, ka bërë përforcimin e parë. Sipas drejtuesve të kësaj skuadre, bëhet fjalë për Klevis Trojën, basketbollistin e datëlindjes 1997.
Luan në rolin e organizatorit, ndërsa deri më tani ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Virtus Tiranës. Ideja dhe qëllimi i Superior Klimës, sipas drejtuesve, jo vetëm me të rriturit, por dhe me moshat është promovimi i talenteve të reja e më pas shpërndarja e tyre në të gjitha skuadrat e basketbollit shqiptar.
Superior Klima i ka mbyllur dy fazat e para në basketboll për meshkuj në vendin e tretë, ndërsa në 8 ndeshje ka marrë pesë fitore e tre humbje, teksa ka grumbulluar 13 pikë. Në këto kushte është dy pikë larg Ardhmërisë Basket kryesuese e Kategorisë së Parë dhe një pikë larg Elbasanit të vendit të dytë.
Ndërkohë ka të ngjarë që merkatoja e dimrit për Superiorin të mos ndalet tek Troja, sepse sipas burimeve të sigurta mund të ketë edhe afrime të tjera. Sakaq Troja, edhe pse i ri, duket se ka shërbyer për zëvendësimin e Gozhdarit, tashmë i larguar dhe i bërë pjesë e Partizanit në Kategorinë Superiore të basketbollit për meshkuj.