ASNN – Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka kaluar pa shumë emocione për vete faktin se në fushën e lojës ka pasur vetëm një protagonist. Vetë rezultati i thellë 94-57 në favor të Kamza Basket nuk ka nevojë për koment, duke ekspozuar në fushën e lojës një skuadër të mirëorganizuar në të gjitha drejtimet e saj.
Nisur nga diferenca e madhe e krijuar në pikëzim ndaj kundërshtarit trajneri i Kamzës, Adem Muhametaj, pati mundësinë të hedhë në fushë edhe elementin e ri, ku mes të tjerëve ishin edhe dy djemtë e tij, Gledis dhe Ergys Muhametaj, të cilët me të dhënat mjaft të spikatura për nga ana fizike, por edhe teknike japin një garanci absolute që shumë shpejt do të jenë bazë e kësaj skuadre.
Përsa i përket gjysmëfinales me Partizanin, në prononcimin e tij menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Muhametaj u shpreh i kënaqur për paraqitjen e ekipit të tij në këtë ndeshje. Sipas tij, duke ditur forcat e skuadrës që drejton, që përpara takimit ka qenë shumë i bindur në kualifikimin për në finale, madje duke e hedhur edhe vështrimin drejt trofeut.
“Objektivi ynë është fitorja e Kupës, madje edhe e të gjitha trofeve të sezonit, – tha trajneri i Kamza Basket, Adem Muhametaj. – Ne do të vijojmë të jemi në elitën e basketbollit shqiptar.”
Kamza Basket – Partizani 94-57
(26-6, 19-15, 23-17, 26-19)
Kamza Basket: Hamati, Shestani, Karaj, Birçe, Roshi / Gledis Muhametaj, Ergys Muhametaj, Fjolla, Gjoka, E. Uruçi, Balliu, Damo. Trajner: A. Muhametaj
Partizani: Çela, Pylli, Tegu, F. Ismeti, Troja / Laçi, Gozhdari, Dervishaj, Dimitraj, R. Uruçi, Xhunga, Selimaj. Trajner: E. Ismeti
Gjyqtarë: G. Cici, O. Kasmi (Tiranë), M. Kasëmi (Vlorë)