Gjergj Vyshka 17.11.2016 15:15
Sllobodan Petrovski nuk është më trajneri i Tiranës në basketboll për meshkuj, ndërsa në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë përballë Kamza Basketit, bardheblutë janë drejtuar nga Erdal Borova.
Në tribunën VIP, së bashku me menaxherin e përgjithshëm të klubit shumësportësh “Tirana”, Anxhelo Koleka, dhe Melsin Lazimin, ka qenë edhe ish-trajneri i Teutës, Nikola Milatoviç.
“Që nga sot do të jetë trajneri i Tiranës”, – ka pohuar Koleka, kurse Nikola Milatoviçi do ta nisë në përballjen Vllaznia-Tirana. Sikundër mund të mendohet Petrovski nuk ka ikur për shkak të rezultateve në kampionat.
Por, më së shumti për disfatat radhazi në Ligën Ballkanike. Ndaj dhe shpresohet që Milatoviçi, i cili e njeh dhe mendësinë e basketbollit shqiptar, të sjellë një erë tjetër tek bardheblutë e koshit të meshkujve.