Gjergj Vyshka 08.01.2016 16:55
Enea Gozhdari mund të jetë përforcimi i ri i Partizanit në basketboll për meshkuj në merkaton e dimrit. Por duket se ka mbetur peng i rregullores, sepse mbi bazën e nenit 7.6 të Rregullores së Aktivitetit Kombëtar në Federatën Shqiptare të Basketbollit, klubi ku ai do të shkojë duhet të paguajë një shumë që lidhet me 10 % të transferimit, por jo më pak se 20.000 lekë të rinj. Ja dhe neni që për momentin nuk e lë plotësisht të kalueshëm Gozhdarin tek Partizani, ndonëse për shumë vite që tek moshat e deri tek të rriturit, për herë të fundit në sezonin 2014-2015, ai ka qenë pjesë e të kuqve.
“Për çdo transferim të një lojtari nga një klub (shoqatë) anëtar në një tjetër, gjatë kohës së kontratës, paguhet në F.Sh.B. një taksë prej 10% të shumës së transferimit, por jo më pak se 20 000 lekë. Kjo taksë është e detyrueshme edhe në rastet kur prishet kontrata apo përfundon ajo dhe lojtari kalon në një klub (shoqatë) tjetër ku lidh një kontratë të re”. Në fakt gjendja financiare e Partizanit nuk ka qenë e shëndoshë që nga koha që deri më 19 dhjetor, kur të kuqtë patën fituar me 4 lojtarë ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Superior Klimën, 79-72, nuk ishte paguar gabimi teknik i trajnerit Elvis Ismeti në shumën 40.000 lekë të rinj.
Parë kështu, por dhe duke e ditur që tashmë ka ardhur dhe shefi i ri i klubit shumësportësh “Partizani”, Shkëlqim Muça, mundet të ketë një zgjidhje optimale. Sepse Gozhdari është ndër ata lojtarë që i duhet Partizanit, pasi së bashku me Florian Ismeti dhe Selimin, pa hequr meritat e Pyllës, Laçit, Dervishit, Kristos, Divitarajt, Xhunga, Tegu, bëjnë atë treshen e fortë që të kuqtë e kanë domosdoshmëri. Në 11 ndeshje, 0 fitore dhe 11 humbje dhe në prag të rrëzimit në Kategorinë e Parë janë treguesit që Gozhdari do të mund të jetë një pikë force për Partizanin me qëllimin e qëndrimit në Superligë.
“Unë kam nisur stërvitjen, – thotë Gozhdari, – por është problemi në Federatë për shumën që duhet paguar në këtë rast të kalimit tim tek kjo skuadër. Kështu që nuk mund të them plotësisht se jam pjesë e Partizanit. Por kur të bëjmë pagesën dhe të marrë kartonin e federimit do të jem pjesë e Partizanit, skuadër me të cilën kam luajtur më shumë se pesë sezone. Quajtur ndryshe si shtëpia ime”. Gozhdari ishte pjesë e Superiorit në Kategorinë e Parë, por duket se nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme të aktivizimit në skuadrën e Çarçanit.
Ndaj dhe duke e ndjerë veten titullar në formacionin e Partizanin ka zgjedhur të kthehet e të bëhet pjesë e skuadrës së Elvis Ismetit. Ndonëse është ende peng i rregullores së FSHB-së.