AlbanianSport.com 08/10/2018 14:55
ASNN – Ndonëse është vetëm java e parë, Goga Basket ka vijuar në një vazhdë interesante në koshin shqiptar të meshkujve, pasi ka hyrë në sezonin e dytë ku nuk e njeh fjalën humbje. Kjo për arsye se, ekipi privat i Durrësit e nisi konkurrimin e tij sezonin e shkuar në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Kategoria e Parë, aty ku pati përballë ekipe me traditë dhjetëravjeçare në këtë sport.
Skuadra e drejtuar nga trajneri pasionant Bekim Abrazhda, ka zhvilluar një sezon të përsosur përballë Flamurtarit, Apolonisë, Elbasanit dhe Skënderbeut, duke mos e njohur humbjen në asnjërën prej 16 ndeshjeve të zhvilluara në këtë nivel të basketbollit shqiptar. Për më tepër, ajo që të bën përshtypje, është se skuadra e Abrazhdës ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dëshmuar se ajo ishte kalimtare në këtë nivel të kampionatit, pasi i përkiste nivelit më të lartë, Superligës.
Dhe shifrat janë dëshmitare të një sezoni të tillë, ku Goga Basket e mbylli me pikë të plota 32, pas 16 fitoresh në po aq javë kampionat dhe duke marrë vendin e parë që të çon automatikisht në Superligë. Për më tepër, skuadra e ngritur nga biznesmeni sportdashës, Perikli Goga, i cili ka ndërtuar për këtë qëllim edhe të parin Pallat Sporti privat në Shqipëri, siç është Arena Sportive “Dhimitraq Goga”, dominoi në të gjitha aspektet e lojës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Abrazhda dhe kapiteni (dhe njëkohësisht drejtori sportiv i Akademisë “Goga Basket”), Marsel Aliaj, shënoi plot 1,439 pikë në këto ndeshje, duke pësuar në proces vetëm 699. Kjo nënkupton se skuadra durrsake ka realizuar mesatarisht për çdo ndeshje plot 89.9 pikë, duke pësuar vetëm gjysmë, domethënë 43.7 pikë për ndeshje. Diferenca midis Goga Basket dhe 4 ekipeve të tjera ishte e dukshme dhe në sezonin e saj të dytë, skuadra u ngjit në Superligë.
Aty ku do të përballet me më të mirat e basketbollit shqiptar dhe, duke u mbështetur mbi themelet e hedhura në sezonin e parë, presidenti Perikli Goga dhe stafi i tij u kujdesën ta ngrenë një nivel më lart standardin e skuadrës. Për këtë qëllim, ata rekrutuan një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptarë të sezoneve të shkuara, malazezin Nikola Milatoviç, i cili do të mbështetet në detyrën e tij nga arkitekti i sezonit të shkuar, Bekim Abrazhda.
Po kështu, duke përforcuar bazën e skuadrës së sezonit të shkuar, ajo e këtij sezoni përbëhet nga basketbollistët shqiptarë, Marsel Aliaj, Niko Thano, Klevis Isaku, Ilmi Pasha, Denis Veselagu, Herion Faslija, Mirald Dinoshi, Hidajet Elezi, Marvin Aliaj dhe Noel Bedo. Po kështu, pjesë e formacionit të Goga Basket janë edhe 3 basketbollistë të huaj. Bëhet fjalë për malazezin Aleksandër Miliç, si dhe amerikanët Aron Uilliams dhe Grifin Rame. Ky i fundit ka luajtur në basketbollin shqiptar me Tiranën.
Natyrisht, Superliga është një tjetë nivel dhe Goga Basket e provoi këtë që në javën e parë, ku fitoi në Shkodër ndaj Vllaznisë. Pavarsisht rezultatit 87-62, fitorja nuk ka qenë aq e lehtë për skuadrën durrsake, pasi, përtej largimeve dhe faktit se Vllaznia drejtohet nga dy lojtarët Ervin Bërdica dhe Fation Taraboshi, ka luftuar, madje duke e fituar pjesën e parë 15-13 dhe atë të dytën 25-22 dhe duke shkuar në dhomat e zhveshjeve në pushimin e madh të ndeshjes, duke kryesuar 40-35.
Por Goga Basket, e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç, ka bërë diferencën në gjysmën e dytë, duke e kufizuar skuadrën shkodrane në vetëm 22 pikë e duke shënuar vetë plot 52 në 20 minutat e fundit e duke e fituar ndeshjen 87-62. jo fitore ka bërë që skuadra durrsake të kryesojë pas javës së parë, me një pikaverazh më të mirë sesa Partizani dhe Tirana, me të cilën Goga Basket do të përballet në javën e dytë në shtëpinë e saj në Xhafzotaj.
Natyrisht për vetë nivelin e përforcimeve të bëra në merkato dhe përkundër rezultateve të javës së parë, ku Tirana, e cila nuk është më skuadra e sezonit të shkuar kur u shpall “kampione”, vuajti për të mundur në fushën e vet Kamzën me dy pikë epërsi, 76-74, dhe Partizani shtangu në kryeqytet Teutën, duke e mundur 65-62, duket se titulli në këtë sezon të koshit shqiptar të meshkujve do të jetë një derbi durrsak, pasi do të diskutohet midis dy skuadrave të qytetit bregdetar.