AlbanianSport.com 08/03/2019 23:55
ASNN – Në kuadër të javës së 15-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, u luajt të premten dueli midis Kamza Basket dhe Goga Basket, fituar nga ekipi privat i Durrësit me rezultatin 92-75. Ishte një ndeshje relativisht e lehtë për ekipin durrsak, i cili diti të krijojë diferencën e duhur që e thelloi hap pas hapi dhe me qetësi e administroi ndeshjen deri në fund, duke mos i dhënë shans kundërshtarit të besonte se mund ta fitonte takimin.
E vërteta është se Kamza përpiqej maksimalisht të bënte surprizën, pasi një fitore do ta ndihmonte të afrohej me objektivin final që është mbijetesa në kategori. Dhe këtë rivalitet e ka në fakt me Vllazninë, pasi shkodranët janë në vend të fundit, por janë afruar ndjeshëm dhe mund të fitojnë duelin direkt që ka mbetur dhe të shpëtojnë ata nga rënia një kategori më poshtë. Pra gara e mbijetesës është e hapur, pavarsisht disfatës së Kamzës.
Ndërkohë, java e 15-të do të vazhdojë sot me duelin tjetër, atë mes Vllaznisë dhe Partizanit, një ndeshje që do të luhet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke nisur nga ora 17:00. Kurse dueli i fundit i kësaj jave, ai mes Teutës dhe Tiranës, një superndeshje që duhej të zhvillohej të premten, do të luhej të dielën, duke nisur nga ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 15-të
Të premten, 8 shkurt 2019:
Kamza – Goga Basket 75-92
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Vllaznia – Partizani (17:00)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Teuta – Tirana (18:00)
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 15 13 2 28
- Teuta 14 10 4 24
- Partizani 14 8 6 22
- Tirana 14 7 7 21
- Kamza Basket 15 3 12 18
- Vllaznia 14 2 12 16