Gjergj Vyshka 15.01.2016 13:05
Heri Tice dhe Erald Gorellari janë dy afrimet e para të “Tirana Eagles” në basketboll për meshkuj, lojtarë të cilët janë prezantuar dje në mbrëmje, ndërsa skuadra me në krye trajnerin Klarent Dedaj ka bërë stërvitje në palestrën e ish-klubit shumësportësh “Partizani”. “Gorellari, – thotë Dedaj, – luan qendër dhe ka qenë pjesë e ekipit të moshave të Studentit me trajnerin Maksim Kristo. Tice nuk ka luajtur në Shqipëri.”
“Është stërvitur jashtë dhe ka një kërcyeshmëri të mirë, – ka vijuar trajneri i “Shqiponjave”. – Është lojtar që do të na shërbejë. Por mund të kemi edhe përforcime të tjera, të cilat mund të shkojnë deri në 4-5 basketbollist. Lojtarë që mund të jenë surprizë jo vetëm për ju si media, por dhe për ne si drejtues”. E më pas Dedaj ka shpallur dhe qëllimet që ka skuadra në vazhdim.
Dy fazat e tjera të kampionatit nisin më 26 dhe 27 shkurt 2016. “Tashmë kemi hyrë në fazën e provës për të gjithë djemtë, si për ata që kanë qenë, por dhe për ata që do të vijnë, – ka theksuar ai. – Në fund do të bëjmë edhe një rezyme të të gjithë sezonit për të kuptuar se kush e meriton dhe kush duhet të jetë për kampionatin e ardhshëm pjesë e ekipit”.
Dhe duke përfunduar Dedaj do të deklaronte: “Thjesht po përpiqemi të ndërhyjmë për të ndërtuar një skuadër reale dhe konkurruese në vazhdimin e garës. Si vit i parë i pjesëmarrjes, ndonëse mund të mjaftoheshim me pjesëmarrjen, jemi duke kërkuar të përmirësojmë të metat dhe të jemi më të fortë përballë kundërshtarëve që tashmë i njohim mirë”, – ka përfunduar Dedaj.