Gjergj Vyshka 09.01.2017 10:40
Flet Abdel Gjyzeli: “Kemi të gjitha shanset për të realizuar fitoren dhe për të kaluar në raundin e dytë në Ligën Ballkanike. Jam mirë tek Tirana dhe të gjitha duam vendin e parë në çdo veprimtari.”
Një ndër lojtarët e së ardhmes për skuadrën e basketbollit të meshkujve të Tiranës, tashmë dhe pjesë e kombëtares së të rriturve, Abdel Gjyzeli, shpjegon atë që ndodh, ka ndodhur dhe do të ndodhë me skuadrën bardheblu.
Duke kërkuar titullin “kampion”, por dhe kalimin në turin e dytë të Ligës Ballkanike, përtej ofertave që i kanë ardhur nga skuadrat e kampionatit shqiptar, Abdel Gjyzeli ka vendosur të mos largohet nga Tirana.
Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa sot, e dyta.
…vijon nga dje
– Cila është ndeshja më e mirë e Tiranës si skuadër dhe e juaja si individ të paktën për këtë pjesë të parë të sezonit?
– Ndeshjen më të mirë të Tiranës do të cilësoja atë të luajtur ndaj Trepçës në Mitrovicë, të cilën e kemi fituar 74-68. Ishte një fitore domethënëse për ekipin, edhe pse kishim kundër faktorin fushë dhe tifozerinë e skuadrës pritëse. Kurse si individ do të cilësoja atë me Sutjeskën në Nikshiq, të cilën e kemi humbur 61-77, dhe unë kam realizuar 13 pikë në gati 15 minuta të luajtura.
– E tashmë edhe pjesë e kombëtares së të rriturve ishte ky vlerësimi maksimal nga trajneri Antonis Konstantinides për ty?
– Në të vërtetë, për mua ishte hera e parë që isha pjesë e kombëtares së të rriturve. Dhe si rrjedhojë, që në ditën e parë të grumbullimit, objektivat ishin tek stërvitja dhe fitimi i eksperiencës duke qenë pjesë e ekipit të të rriturve. Të tjerat ia lëmë trajnerit.
– Në gusht, në Eliminatoret e Botërorit, Shqipëria është përballë Austrisë dhe Holandës, ndonjë parashikim?
– Duhet një punë shumë e madhe për të arritur të tjera suksese, si ajo e 17 shtatorit ndaj Sllovakisë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Nuk mund të them diçka konkrete, edhe sepse të gjithë e dimë që janë dy kundërshtarë të mirë dhe shumë të përgatitur. Por përsëri qëllimi do të jetë paraqitja dinjitoze si kombëtare.
– Së fundi, Gjyzeli ndonjë ofertë për të lëvizur nga Tirana qoftë dhe jashtë vendit?
– Oferta përsa i përket kampionatit shqiptar po, por për të luajtur jashtë vendit, ende jo.
– … ndonjë emër konkret nga ato që të janë ofruar?
– Për momentin, jam shumë mirë tek Tirana. Jemi në krye dhe të gjithë duan të jenë në vendin e parë dhe jo të largohen prej skuadrës.