Gjergj Vyshka 20.03.2016 19:55
Algert Gjonaj, basketbollisti i Vllaznisë, i pyetur nga “Sport Ekspres” ka dhënë versionin e tij. Sipas tij është turp gjithçka që ka ndodhur dje në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, pasi në basketboll nuk kanë ndodhur asnjëherë.
“Ne mbaruam ndeshjen, – thotë Gjonaj, – dhe ishin duke u përqafuar dhe duke bërë fotografi që në raste të tilla janë të zakonshme. Dhe në krahun e tifozëve fanatiks kam shkuar të takoj vëllanë dhe kushërinjtë e mi, të cilët janë pjesë e këtyre “ultrasve”.”
“Por në një moment vjen njëri dhe më thotë “Çfarë ke ti?”, – ka vijuar ish-basketbollisti bardheblu. – “Si ç’kam?” i jam kthyer. Dhe kanë ardhur pesë të tjerë. Por turmat janë turma dhe u largova me vrap.”
“Është turp, sepse ne jemi shokë me lojtarët e Tiranës e rrimë së bashku çdo mbrëmje, – ka vijuar sportisti që tashmë mbron ngjyrat e kuqebluve të Vllaznisë. – Unë kam mbi 10 vjet që luaj dhe kjo nuk është normale”.
Dhe Gjonaj ka riparë edhe një herë ndeshje në kamera për të qenë më i qartë për atë që ndodhi, gjë që ishte një njollë e madhe për basketbollin shqiptar dhe për të cilën duhen marrë masa.