Gjergj Vyshka 09.09.2016 09:45
Dje paradite drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e më konkretisht, Sekretari i Përgjithshëm Korab Llazani, ka pritur në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, Gjeorgjinë. Është ky kundërshtari i radhës i Shqipërisë në basketboll për meshkuj në ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian 2017, ndërsa ndeshja do të luhet të shtunën në orë 19:00.
Madje dje kanë dalë në shitje dhe biletat për ndeshjen e së shtunës, të cilat janë në shifrat 300 lekë të rinj. E Gjeorgjia është akomoduar në hotel “Rogner” në kryeqytet. Dje në mbrëmje në ora 18:00-20:00 gjeorgjianët kanë zhvilluar stërvitje në “Asllan Rusi”, sikurse do të bëjnë dy të tilla dhe sot e një të shtunën në mëngjes. Për t’u evidentuar është fakti se gjeorgjianët vijnë nga humbja me Malin e Zi në Tbilisi 76-74.
Ndërsa me Shqipërinë e kanë fituar të parën 86-47. Ndërkohë, plot 14 orë në kthim ka qenë udhëtimi për kuqezinjtë e koshit nga Prievidza e Sllovakisë dhe mbërritje në orët e vona të pasdites së djeshme në Tiranë. Anulohet stërvitja e djeshme, sot me dy seanca në ditë.