AlbanianSport.com 17.01.2017 13:05
ASNN – Për të lënë pas një gjysmë të parë zhgënjyese të sezonit dhe për t’u kthyer seriozisht në betejën për të mbrojtur kurorën e kampiones së basketbollit të meshkujve, Vllaznia ka bërë një numër përforcimesh, por trajneri Bledar Gjeçaj kërkon që të mos shfaqet shumë euforik.
“Duhet të presim që t’i shohim në fushën e lojës, – thotë ai. – Besoj se do ndihmojnë ekipin për arritjen e objektivave.” Për inspektorin e “Sport Klub Vllaznia”, Astrit Zaganjori, kuqeblutë janë tashmë një ekip i frikshëm. “Patjetër që Vllazninë tashmë duhet ta kenë frikë edhe Tirana edhe Teuta”, – ka këmbëngulur ai.
“Vllaznia ka fituar 3-0 në finalet me Tiranën, por tashmë këtë vit janë një skuadër shumë e mirë dhe them se do ketë përballje me rivalitet”, – shton Zaganjori. Pas Seth Xheksonit, në Shkodër ka mbërritur edhe amerikani i dytë Xhoshua Frilav, ndërsa pritet edhe ardhja e amerikanit të tretë, Derril Palmer.
Ai ka firmosur me Vllazninë për t’u bashkuar kështu me pjesën tjetër të skuadrës. Me tre amerikanët, por edhe afrimin e Julian Hamatit nga Kamza Basket, Vllaznia përforcohet ndjeshëm. Kuqeblutë presin edhe ndonjë blerje tjetër deri në fund të janarit, duke u rikthyer fuqishëm si pretendentë për fitimin e titullit për të katërtin vit radhazi.