Gjergj Vyshka AlbanianSport.com 21.12.2014 12:05
Për të 12-tën herë, Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ngjyroset kuqeblu. Vllaznia rezulton një skuadër stoike, triumfon edhe mbi nervat e veta. Sarajlija është dënuar me teknik përjashtim, kurse Pajoviç me katër gabime personale ulet në stol. “E kishim vlerësuar ndeshjen dhe finalet e Kupës së Shqipërisë janë gjithnjë të vështira”, – ka deklaruar trajneri i shkodranëve, Bledar Gjeçaj.
“Arritëm që t’i neutralizonim pikat e tyre të forta dhe për rrjedhojë e nxorrëm lojën si duhej, – ka vijuar ai. – Sigurisht që nuk pajtohem me nervozizmin e Saralijës, sepse në një farë mënyre dëmtohet ekipi. Unë nuk kam se çfarë të flas për gjykimin, sepse e panë të gjithë mirë. Mirëpo ne treguam që jemi ekip absolut, sepse jemi “kampion” në fuqi, fitues të Kupës dhe si të tillë kërkojmë të marrim përsëri titullin.”
“Mos harroni që skuadra ka pasur dhe probleme fizike, ndërsa humbja me Tiranën ka ardhur dhe nga shkaku që pas dy ditësh do të luanim në Ligën Ballkanike ndaj Sigal Prishtinës, – ka theksuar Gjeçaj. – Ndarja e skuadrës në veprimtaritë kombëtare dhe ato ndërkombëtare sigurisht që i ka vështirësuar gjërat. Mundet të hyjmë dhe në merkato, por gjithsesi dhe kështu si jemi besoj tek marrja e titullit “kampion”.”