Gjergj Vyshka 08.11.2016 07:55
Gerti Shima mund të jetë një nga blerjet e fundit të Tiranës në basketboll për meshkuj. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë që nga fundjava e kaluar e ka zgjidhur marrëveshjen e tij që e lidhte me SIGAL Prishtinën e tashmë ndodhet në Tiranë. Prej ditësh është në kontakte të vazhdueshme me menaxherin e përgjithshëm të Tiranës, Anxhelo Koleka, por që ende nuk ka zyrtarizim.
Pritet që palët të gjejnë akordin dhe më pas të dilet në një konferencë të përbashkët për shtyp, atje ku do të mund të reklamohet blerja më e bujshme e bardhebluve për sezonin 2015-2016.
Duhet ditur që Tirana, edhe duke qenë pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike të Basketbollit për meshkuj, është përforcuar jo vetëm me trajnerin maqedonas Sllobodan Petrovskin, por dhe me amerikanet Rame e Xhonson, malazezin Gavraniç, maqedonasin Luka Petrovski, si dhe Endrit Hysenagollin.
Një ardhje e Shimës do të jetë një vlerë super e shtuar për Tiranën, e cila jo vetëm që kërkon të jetë në raundin e dytë të Ligës Ballkanike, por dhe të jetë kampione e fituese e Kupës së Shqipërisë.
Sipas të gjitha burimeve, pavarësisht se nuk ka ende zyrtarizim, por që duket se bisedimet janë në rrugë të mbarë, Shima do të udhëtojë me skuadrën sot drejt Shkupit, atje ku Tirana do të përballet në ndeshjen e katërt të Ligës Ballkanike me Karpos Sokolin 2000.