Gjergj Vyshka 02.04.2016 08:55
Enio Fjolla është magjia e Kamza Basket, ndërsa trepikëshi i tij në sekondat e fundit të ndeshjes i ka dhënë suksesin djemve të Adem Muhametajt, të cilët kështu kanë mbajtur kryesimin në basketbollin e meshkujve. Gëzim i paparë tek lojtarët dhe tifozët e Kamza Basket, të cilët janë të gjithë së bashku në parketin e sallës sportive në Bathore, por hidhërim tek shkodranët.
Keqardhje për atë që ka ndodhur në parket, sepse janë ndjerë të vjedhur sipas tyre nga gjyqtarët. E jo më kot ka ardhur dhe akuza e presidentit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj, Sokol Dibra. “Në Shqipëri, – ka pretenduar Dibra, duke folur për “Sport Ekspres”, – nuk ka më basketboll. Është e kotë të merresh e të shpenzosh me këta gjyqtarë, të cilët mund të bëjnë gjithçka.”
Dhe në fakt fundi i ndeshjes ka qenë i tensionuar, sepse në një vendim të Kasëmit për top në vijën fundore për Kamza Basket pjesa e tifozëve të Vllaznisë kanë qenë të revoltuar. Pasi kanë pretenduar për hapa. Jo pak është pretenduar edhe për tavolinën në numërimin e faulleve, që në sekondat e fundit të lojës edhe për ta pasur topin në zotërim janë të zakonshëm, por dhe për minutazhin.
Për të gjitha këto arsye, ndonëse përmbysja e Kamza Basket, në kryendeshjen e basketbollit të meshkujve në javën e 16-të, është për t’u vlerësuar, Vllaznia ia ka faturuar humbjen gjyqtarëve. E përtej kësaj, ndeshja e djeshme ka qenë ndër më të mirat e basketbollit shqiptar të këtij sezoni. Sepse i pati të gjitha brenda. Emocionet, rivalitetin dhe tensionin deri në fund.
Dhe merita i takon të dy skuadrave, por mbi të gjitha Kamza Basket me Fjollën që shënoi trepikëshin e tij të artë dhe më shumë se magjik.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 16-të
(1-2 prill 2016)
Të premten:
Kamza Basket – Vllaznia 67-65
Partizani – Flamurtari 72-52
Të shtunën:
Teuta – Tirana (18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kamza Basket 16 14 2 1163-951 30
- Vllaznia 16 12 4 1122-980 28
- Tirana 15 11 4 1148-965 26
- Teuta 15 6 9 1110-1078 21
- Flamurtari 16 3 13 973-1258 19
- Partizani 16 1 15 959-1243 17