Vllaznia, “kampione” për herë të 9-të në basketbollin e meshkujve të mërkurën në mbrëmje duket se ka festuar spontanisht. Nga një ceremoni e organizuar me të gjithë publikun, të paktën edhe sipas njoftimit të shpërndarë nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia në Pallatin e Sportit, është kthyer në një ceremoni përpara Bashkisë.
Gjithçka ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa grupi i tifozëve që ka shoqëruar skuadrën në “Ramazan Njala” të Durrësit, i cili ka udhëtuar me një autobus të vendosur nga Klubi Shumësportësh Vllaznia, është ndalur para Bashkisë. Ata kanë ndalur dhe skuadrën.
Ndërsa në zyrë ka rastisur dhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila ka qenë duke punuar një material të sajin. Në mënyrë të shpejtë, kryebashkiakja i ka pritur basketbollistët në zyrën e saj dhe i ka uruar për suksesin që kështu e mban Shkodrën lart në arenën kombëtare.