AlbanianSport.com 24.11.2016 19:35
ASNN – Emocione të mëdha në sfidën e Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj ndërmjet Trepçës dhe Tiranës. Shkallët e palestrës së sportit “Minatori” në Mitrovicë ishin të tejmbushura, ndërsa edhe këtë radhë vëmendje të veçantë mori koreografia e tifozëve vendas.
Ashtu si në ndeshjen e Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj ndaj Prishtinës javë më parë, edhe ndaj Tiranës, tifozët mitrovicas të njohur si “Torcida” u kujdesen të këndojnë himnin kombëtar. Ndërsa këndohej himni nga të gjithë të pranishmit në palestër, tifozët shpalosën një flamur kombëtar dhe dy pankarta.
Në njërin prej tij, shkruhej se “në Nëntorin e II-të, Shqipërinë e bëmë në Vlorë”, ndërsa në tjetrin, që ndahej me një flamur kombëtar shkruhej: “në Nëntorin e III-të (Shqipërinë) do ta bëjmë në Mitrovicë”. Në fakt, momente tepër emocionuese patën pushtuar fillimin e ndeshjes Trepça-Prishtina javë më parë.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 6-të të Superligës së Kosovës në Basketboll për Meshkuj. Ndërsa shkallët e palestrës së sportit “Minatori” në Mitrovicë ishin të tejmbushura himni kombëtar ka ndezur akoma edhe më tepër atmosferën ku dallohet qartë edhe emocioni që ka përfshirë jo vetëm tifozët, por edhe disa prej lojtarëve.