AlbanianSport.com 28.01.2017 10:25
ASNN – 9 lojtarë kanë firmosur një peticion, ndërsa kanë katër arsye për largimin e këtij trajneri nga ekipi i meshkujve. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga nisja e pjesës së dytë të sezonit të basketbollit shqiptar, në Elbasan skuadra e meshkujve, e cila luan në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Kategoria e Parë, është në prag të “shkrirjes”. Basketbollistët e kësaj skuadre janë ngritur në një protestë kundër trajnerit të tyre, Banush Sinani, ndaj të cilit kërkojnë dorëheqjen.
Por, edhe pse këtë kërkesë e kanë çuar deri tek drejtuesit e klubit, ata sërish nuk kanë gjetur një zgjidhje. Ndaj, për këtë arsye, nuk kanë ndërmend që të luajnë më për Elbasanin. Këtë kërkesë e kanë bërë 9 lojtarë të ekipit të basketbollit, të cilët janë edhe me më shumë përvojë dhe janë pjesë e formacionit. Sipas tyre janë 4 arsyet që ata kanë evidentuar për shkarkimin e trajnerit Sinani: abuzimi me buxhetin, ofendimi ndaj të gjithë sportistëve, jo korrektësia në seancat stërvitore, si edhe largimi pa arsye i sportistëve.
Duhet thënë se ky është një nga të paktat raste kur kërkohet shkarkimi i trajnerit në një masë kaq të madhe lojtarësh, praktikisht e gjithë skuadra. Nuk dihet sesi do të vijojë kjo çështje në fakt dhe cila do të jetë masa që do të marrin drejtuesit elbasanas. Lojtarët duket sikur nuk tuten nga pretendimet e tyre dhe nga ana tjetër skuadra e Elbasanit rrezikon që të mos ketë ekip fare për pjesën e dytë të kampionatit. Megjithatë një mundësi është edhe që të luajnë lojtarët e rinj. Por gjithsesi pa ekipin bazë verdheblutë do ta kenë shumë të vështirë për të qenë cilësorë.
Prej disa vitesh, Elbasani militon në Kategorinë e Parë dhe është shumë larg pretendimeve duke humbur kështu për këtë sezon çdo mundësi për t’u ngjitur në Superiore. Tani gjërat bëhen akoma më të vështira për përfundimin e këtij sezoni, vetëm në rast se palët do të bien në ujdi dhe të ulin gjakrat për ta mbyllur këtë sezon me lojtarët “rebelë” dhe trajnerin aktual.
9 SPORTISTËT QË KËRKOJNË LARGIMIN E TRAJNERIT
Fation Çela
Jugert Koçiasi
Indrit Skëndaj
Ramis Uruçi
Bruno Skëndaj
Xhino Leka
Kristjan Guxha
Eljor Mata
Xhanluka Balliu