ASNN – Vllaznia në krizë totale, zhgënjen edhe në kampionat. Kampionët në fuqi, pas eliminimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, dje e kanë nisur keq fazën e tretë, ndërsa janë mundur në Shkodër nga Kamza Basket me shifrat 51-69.
Një rezultat dhe një humbje që ka zhgënjyer edhe trajnerin Bledar Gjeçaj, i cili pas ndeshjes do të shprehej: ”Nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhë me skuadrën, megjithatë do të shikojmë më pas”.
“Kjo humbje natyrisht që na i vështirëson pozitat, por kampionati është i gjatë, – ka vijuar kreu i stolit të shkodranëve të koshit. – Ajo që më shqetëson është që diçka nuk shkon në skuadër.”
“Mjafton të përmendin pjesën e parë kur shënojmë vetëm 4 pikë. Kemi shumë vështirësi tek sulmi, nuk qarkullohet mirë topi, nuk luajmë afër koshit, jam shumë i zhgënjyer me skuadrën. Besoj se duhet bërë një analizë e thellë”, – ka përfunduar ai.