Gjergj Vyshka 11.09.2016 08:00
Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka treguar se po vjen në rritje, ndërsa më me pak mend dhe më me pak zgjuarsi, edhe pse kishte një kundërshtar të fortë përballë si Gjeorgjia, mund dhe duhet ta kishte marrë ndeshjen e djeshme. E thënë ndryshe, Gjeorgjia me lojtarë që luajnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tillë si Zaza Pashulia, apo dhe Shengelia – basketbollistë të cilët stërviten nga ish-trajneri i kombëtares sonë Fatmir Cuka, i cili i ndodhur në Tiranë i ka stërvitur dy ditë këta dy basketbollistë – nuk ka pasur kurrfarë niveli më tepër se sa Mali i Zi. Jo vetëm kaq, por ndeshja e së mërkurës me malazezët në Tbilisi, djemtë e Bogdan Tanjeviçit e kanë fituar me dy pikë diferencë në fund, apo dhe udhëtimi i gjatë drejt Tiranës i ka paraqitur në parket të lodhur. Pse jo të drobitur dhe ndoshta dhe me bindjen se fitoren ndaj Shqipërisë e kemi në xhep. E në këtë moment duhet të kishin përfituar tanët, aq më shumë që mundësitë i kanë pasur. Por kuqezinjtë janë si “lopa”, që e “mbush kovën me qumësht” dhe në fund i bie po vetë me shqelm. Të paktën sinjalet janë të mira që këto Eliminatore të shtunën e ardhshme do të mund t’i mbyllim me fitore ndaj Sllovakisë.