Gjergj Vyshka 15.09.2016 08:50
Në të njëjtin kufi si në Tiranë, Mali i Zi nuk lëshon “pe” ndaj nesh. Jemi afruar deri në 25 pikë diferencë në pjesën e tretë, Shima bën ndeshjen e tij më të mirë me 24 pikët e shënuar, por në fund nuk e shmangim dot humbjen. E 5-ta në 5 ndeshje eliminatore.
Kështu, Shqipëria e basketbollit të meshkujve ka firmosur humbjen e saj të 5-të në Eliminatore. Një gjë e pritshme, sepse luajtur përballë kundërshtarit më të fortë në grup, që është Mali i Zi.
Përfundimi në diferencën e pikëve është në të njëjtin kufi si në Tiranë, jo më me 40 pikë, por me 38 pikë. E kur në fund të pjesës së tretë jemi afruar deri në 25 pikë diferencën, Mali i Zi është lëshuar furishëm.
Që do të thotë se dhe këtë fitore e ka luajtur përsëri me skemën “lësho” e “shtrëngo”. E thënë ndryshe na ka lënë të luajmë deri në një farë mase, por pa lëshuar “pe”, sepse fitoren e kishte të sigurt.
Ndërkohë pjesë-pjesë kemi bërë një ndeshje të mirë, ndërsa ajo që është e rëndësishme dhe që duhet të ndodhë është fitorja të shtunën ndaj Sllovakisë në Tiranë për t’i mbyllur me nder këto Eliminatore të Evropianit 2017.