ASNN – Vllaznia dhe Teuta, në basketboll për meshkuj, i kanë dhuruar një shfaqje të bukur publikut shkodran në përballjen që ato patën mes tyre mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një ndeshje që për hir të vërtetës, parë edhe nga ecuria e saj, duhet pranuar se ishte e çuditshme. Kuqeblutë të drejtuar nga kapiteni i tyre, veterani Ervin Bërdica, e nisin mjaft mirë, teksa e mbyllin pjesën e parë në epërsi 20-17.
Vendësit vijojnë të luajnë mirë edhe në dhjetë minutat e dyta duke e fituar edhe atë 14-11 dhe me eprsinë 34-26 kanë shkuar në dhomat e zhveshjes në pushim. Vllaznia luan mirë dhe në pjesën e tretë, që fiton 18-9 dhe thellon në 52-37. Por çudia, nëse mund dhe duhet me plot gojën ta themi kështu, vjen në pjesën e fundit. Dhjetë minuta këto ku djemtë durrsakë, të drejtuar nga trajneri i sapoemëruar, Artan Terihati, befasojnë me lojën e tyre.
Me Kristi Gorenë, padyshim më të mirin në fushë për miqtë, përballë një Vllaznie apatike dhe të “dehur” përpara kohe me suksesin e fitores, durrsakët shënojnë pikë pas pike duke arritur ta barazojnë rezultatin në minutën e fundit të ndeshjes. Barazpeshë kjo që e vë në diskutim të plotë fituesin e këtij takimi dhe në të njëjtën kohë ka mbajtur në tension dhe të pranishmit në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Dhe në çastet e fundit, kur duheshin vetëm dy sekonda lojë, në skenë del i riu i talentuar shkodran, Daniel Lekndraj, i cili me koshin e tij siglon fitoren e Vllaznisë.
Vllaznia – Teuta 62-59
(20-17, 14-11, 18-9, 10-22)
Vllaznia: Bërdica (9), Bekteshi (8), Ndoja (21), Faslija (10), Da. Lekndreaj (9) / Taraboshi (10), Shabani (5), Do. Lekndreaj. Trajner: B. Gjeçaj
Teuta: Gorea (14), Shestani (9), Thano (8), Jani (2), Daliu (12) / Aliaj (5), Pasha (4), Strazimiri (5), Veselagu. Trajner: A. Terihati
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi (Tiranë), M. Kasemi (Vlorë)