AlbanianSport.com 22.11.2016 12:35
ASNN – Ai ishte një nga të rinjtë më të spikatur të Kombëtares kuqezi të koshit të meshkujve në Eliminatoret e Evropianit 2017, ku trajneri Antonis Konstandinides u përpoq të ndërthurte elementin e ri me përvojën e titullarëve të sprovuar. Madje trajneri qipriot do ta veçonte Çelis Taflajn si një premtim të madh të së ardhmes së koshit shqiptar.
I riu, i cili në mars të këtij viti mbushi 18 vjeç, është që prej fillimit të këtij sezoni, pjesë e skuadrës së Viola Rexhio Kalabrias, skuadrës që militon në divizionin perëndimor të Serisë A2, apo thënë ndryshe nivelit të dytë të Kampionatit Italian të Basketbollit për Meshkuj. Siç dihet, ky Kampionat është i ndarë në 6 nivele, ndërsa dhe vetë nivelet janë ndarë edhe në grupe.
Kështu, është Seria A, me 16 skuadra, Seria A2 me dy grupe (lindje dhe perëndim), me nga 16 skuadra secila, Seria B me 4 grupet, si dhe Seria C1, C2 dhe D. Në këtë sezon, qendra shqiptare, i cili është 2 metra e 1 cm i gjatë, ka luajtur 10 ndeshje, me një mesatare prej 8 minutash për ndeshje, duke shënuar edhe 18 pikë dhe duke fituar edhe 11 topa në tabelë.
Në takimin e fundit me skuadrën e “Roma Gas & Power”, Taflaj i ri ka luajtur për 14 minuta, pa arritur të shënojë pikë në humbjen 67-84 të skuadrës kalabreze. Përtej rezultateve të skuadrës së tij, që ka fituar 2 dhe i ka humbur 6 të tjerat e këtyre 8 javëve, 18-vjeçari po rritet në planin personal, teksa është bërë pjesë e 8-shes së rotacionit, diçka pozitive për një lojtar të ri në këtë kampionat.
Duhet theksuar se, në këtë nivel, janë 2 apo 3 lojtarë të tjerë si Çelisi, apo shkurt, Çeloja, që luajnë me këtë minutazh, e për më tepër, në një kampionat që, si në çdo kampionat tjetër të një niveli të lartë në botë, përjeton një “përmbytje nga basketbollistët amerikanë, çka e rrit edhe më nivelin e konkurrencës për një vend në formacionin bazë të skuadrave.
Në fakt, një meritë të veçantë në mbështetjen e shqiptarit ka dhënë trajneri Antonio Paternoster, i cili, edhe pas konferencës për shtyp, të mbajtur pas ndeshjes së fundit me Romën, ka vlerësuar, ndër të tjera, edhe lojën e Taflajt. “Të rinjtë luajtën mirë, dhe Taflaj, Karoti dhe Guarilja i zbatuan detyrat, kurse lojtaret titullarë nuk dhanë rendimentin e duhur, prandaj e humbën dhe ndeshjen në 5 minutat e fundit”, – tha ai.