Gjergj Vyshka 17.03.2016 11:35
Trajneri Eduard Çarçani: “Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona dhe do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen siç kemi tentuar dhe jemi afruar dhe në dy ndeshjet e para”.
Ardhmëria Basket-Superiori është ndeshja më kryesore e Kategorisë së Parë në basketbollin e meshkujve, që do të luhet të premten në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Deri më tani ka fituar dy herë Ardhmëria, 47-35 dhe 61-47, dhe Superior duke ecur me shprehjen “e treta, e vërteta” është duke e përgatitur ndeshjen për ta fituar. Kështu të paktën ka deklaruar trajneri i kësaj skuadre, Eduard Çarçani.
Të premten është një sfide direkte me Ardhmërinë, që i ka mundur dy herë. I pyetur si e mendonte dhe çfarë parashikonte për këtë ndeshje, Çarçani tha: “Mendoj që Ardhmëria Basket nuk është rastësisht në krye të renditjes.”
“Por ka ardhur këtu falë punës e përgatitjeve të saj, si dhe të eksperiencës që ka në përbërje në krahasim me ekipet e tjera të Kategorisë së Parë”, – ka vijuar ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
“Bazuar në përgatitjet e bëra gjatë kësaj periudhe dhe në paraqitjet e bëra në këto tre javët e para të fazës së tretë po përpiqemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje”, – ka theksuar ai.
“Madje duke analizuar çdo detaj të kundërshtarit. Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona dhe do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen siç kemi tentuar dhe jemi afruar dhe në dy ndeshjet e para, ka përfunduar trajneri i Superiorit, Eduard Çarçani.