Gjergj Vyshka 16.01.2017 07:05
Menaxheri i përgjithshëm i klubit bardheblu, Anxhelo Koleka: “Ne e falënderojmë presidentin e durrsakëve, Arqile Gorea, për këtë nder që na bëri për këto ndeshje të rëndësishme të Ligës Ballkanike”. Tirana e basketbollit të meshkujve është blinduar në prag të ndeshjes së Ligës Ballkanike me Karposh Sokolin, e cila të martën do të luhet në ora 19:00, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Me huazim nga Teuta, me dashamirësinë e presidentit të durrsakëve, Arqile Gorea, por dhe me dëshirën e trajnerit Nikola Milatoviç, është marrë Robert Shestani.
Dhe kjo gjë është konfirmuar për gazetën “Sport Ekspres” nga menaxheri i përgjithshëm i bardhebluve, Anxhelo Koleka. “Ne gjejmë rastin ta falënderojmë presidentin e Teutës, Arqile Gorea, për dashamirësinë që pati në dhënien e këtij basketbollisti, i cili më 26 janar do të kthehet në skuadrën durrsake, – ka pohuar ai. – Pra e kemi marrë vetëm për ndeshjet e Ligës Ballkanike dhe ka ardhur me dëshirën e trajnerit Nikola Milatoviç”. Koleka nuk pranon që ky lojtar të jetë në qendër të vëmendjes së drejtuesve të Tiranës për merkaton e verës, apo për sezonin e ardhshëm.
“Absolutisht jo, – ka këmbëngulur administratori bardheblu. – Ai është nën kontratë me Teutën dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e durrsakëve.” Koleka ka deklaruar se çdo lojtar i ardhur është një vlerë e shtuar për skuadrën, sidomos tani që është në sulmin e fundit për kalimin në turit të dytë të Ligës Ballkanike. “Është e vërtetë, – thotë Koleka, – që ne kemi një skuadër me lojtarë shumë të mirë. Mirëpo ishte dëshira e trajnerit Milatoviç për ta pasur në ekip Shestanin për këto dy ndeshje. Dhe çdo lojtar i ardhur, duke ditur dhe rëndësinë e ndeshjeve që ne kemi, është i mirëpritur nëse Tirana do të arrijë qëllimet e saj.”