Gjergj Vyshka 11.04.2016 13:30
Vetëm në pjesën e parë skuadra e trajnerit Afrim Bilali ka patur vështirësi, më pas gjithçka ka qenë e lehtë për të derisa e ka mbyllur takimin me një diferencë prej 46 pikësh. Ardhmëria Basket ka fituar pa shumë stres ndaj Eagles, në ndeshjen e luajtur dje në mesditë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Me përjashtim të pjesës së parë, të cilën skuadra e Afrim Bilalit e ka fituar vetëm me një pikë diferencë, në të gjitha të tjerat dominimi ka qenë total. Madje ka pasur kohë për të provuar dhe të rinjtë, apo dhe ata që kanë luajtur më pak gjatë këtij sezoni.
Dhe kësisoj Ardhmëria është afruar një pikë me kryesuesen Superior, ndërsa duket se lufta për kreun do të jetë mes tyre. Në kushtet kur Elbasani duket se është dorëzuar pas largimit të Çelës dhe Uruçit tek Partizani. Në krahun tjetër, Tirana Eagles dje ka qenë pa Kujtim Çaçin dhe pa Prodanin, ndërsa Dedaj e ka nisur krejtësisht ndryshe ndeshjen. Që do të thotë se i ka besuar Bilbilit dhe Xhemalit, të cilët për herë të parë janë titullar të formacionit, së bashku me Kalën, Adilin dhe Skëndaj. Dhe fillimi i ndeshjes nuk i është keq për ekipin e Dedajt.
Një trepikësh i Skëndajt dhe një dypikësh i Bilbilit i jep epërsinë 5-0 Tirana Eagles. Epërsi që është ngushtuar nga trepikëshi i Merkajt. Shënon dhe një herë tjetër Bilibili trepikës dhe Tirana Eagles është në epërsi 8-5 dhe 10-7. Por vetëm kaq. Barazohet rezultati në 10-10 dhe në fund të pjesës së parë Ardhmëria Basket, pasi Bilali e ka shkundur mirë skuadrën, e ka fituar 11-12. Shpërthimi nis në të dytën, ndërsa Ardhmëria Basket e rrëmben topin që në mesfushë e më pas kthehet gjithçka si në një seancë stërvitore.
12-26 pjesa e dytë dhe në pushim shkohet me epërsinë 23-38. Epërsi që ka ardhur duke u thelluar në të tretën, ndërsa Tirana Eagles duket sikur nuk është më në fushën e lojës. 5-19 dhe thellimi i rezultatit shkon në 28-57. Po kështu dhe e katërta derisa është vulosur rezultati përfundimtar 35-81 për Ardhmërinë. Për t’u evidentuar mbetet sërish problem tabela, sepse edhe pse pranë saj qëndrojnë dy veta përsëri nuk po ia marrin dorën. Kohë që ecën në momente të caktuar pa u ndalur e që më pas me ndërhyrjen e gjyqtarëve duhet kthyer atje ku ishte në fakt.
Megjithatë përtej kësaj, Ardhmëria Basket e ka fituar lehtësisht ndeshjen e saj me Tirana Eagles.
Tirana Eagles – Ardhmëria Basket 35-81
(11-12, 12-26, 5-19, 7-24)
Tirana Eagles: Bilbili (11), Kala (6), Xhemali, Adili (9), Skëndaj (4) / Tufa (5), Dashi, Zelaj. Trajner: K. Dedaj
Ardhmëria Basket: Shahini (6), Merkaj (29), Hoxha (7), Qehajaj (6), Fjolla / Brari (14), Latifi (4), Seferi (2), Rakaj (2), Beliu (4), Çelmeta (3), Allaraj (4). Trajner: A. Bilali
Gjyqtarë: M. Kasëmi (Vlorë), O. Kasmi (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 17-të
(9-10 prill 2016)
Të shtunën:
Skënderbeu – Superiori 47-79
Elbasani pushim
Të dielën:
Tirana Eagles – Ardhmëria Basket 35-81
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Superior 14 11 3 1028-741 25
- Ardhmëria 13 11 2 949-642 24
- Elbasani 13 8 5 977-866 21
- Skënderbeu 14 3 11 787-997 17
- Tirana Eagles 14 1 13 672-1040 15