AlbanianSport.com 04/01/2019 21:45
ASNN – Prishtina bën një përforcim për titull në Kosovë dhe dinjitet në FIBA Kupën e Evropës. Skuadra e basketbollit të meshkujve të Prishtinës ka bërë lëvizjen e parë në këtë periudhë tranzitore të transferimeve të lojtarëve, duke afruar një emër të njohur nga basketbolli amerikan. Ka qenë vetë klubi i kryeqendrës shqiptare në Kosovë që i uron mirëseardhjen Mohamad Ahmed Bashirit, një lojtari me statistika mjaft të mira në një ekip kolegji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Muhamad Ahmed Bashir lojtari më i ri i KB Prishtina, – shkruan në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” klubi më i madh i basketbollit në Kosovë. – Ahmed Bashir është i gjatë 2.01 m, peshon 95 kg dhe luan në pozitën “Alo”. Ishte ndër lojtarët më të dalluar në “St. John’s University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte një mesatare prej 11.7 pikësh, 4.5 topash të zotëruar në tabelë dhe 1.21 pasimesh për kosh.”
“Shquhet për lojën e tij në mbrojtje dhe ngulitjet atraktive. Mire së vjen në shtëpinë e Kampionëve Ahmad Bashir. Para Prishtinë”, – përfundon klubi kryeqytetas i Kosovës. Prishtina synon që me këtë përforcim të rrisë paraqitjen dhe cilësinë sportive jo vetëm në kampionatin e Kosovës, por njëherësh të ketë ambicie në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL) e sidomos në Kupën e Evropës (FIBA Europe Cup), ku po prezantohet me mjaft dinjitet në grupin e saj eliminator.