AlbanianSport.com 04.04.2015 17:00
ASNN – Pas shumë përpjekjeve, Teuta sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e elitës së basketbollit. Pak ditë më parë, durrsakët e mbyllën të parët në Kategorinë e Parë, në një sezon të cilin e dominuan që në javën e parë. Arkitekti i kësaj skuadre, trajneri Bekim Abrazhda, u shpreh mjaft i kënaqur për mënyrën sesi u zhvillua sezoni. Abrazhda vlerëson impenjimin e basketbollistëve, të cilët, sipas tij, edhe pse kurorëzuan një sezon mjaft të suksesshëm, ende nuk janë uruar nga zyrtarët e klubit Teuta.
“Fillimisht dua të them që jam krenar që përmbushëm me sukses objektivin tonë, – ka deklaruar ai për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”. – Një sezon më parë dolëm nënkampion Shqipërie me të rinj dhe duke ruajtur pjesën më të madhe të atij grupi lojtarësh, që në sezonin e parë mundëm të ngjitemi në Superligën e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Nga ana tjetër, jam edhe më i kënaqur për mënyrën sesi u arrit ky sukses.”
“Ndryshe nga një sezon më parë, kur në ekip kishte 4 apo 5 lojtarë të blerë, kësaj radhe, me përjashtim të një lojtari që afruam javët e fundit, e gjithë pjesa tjetër ishin djem nga Durrësi, – ka vijuar trajneri i bregdetarëve të koshit. – Përgatitjet tona kanë filluar që në korrik të vitit të shkuar, me nga dy seanca stërvitje në ditë. T’ju them të drejtën, duke parë punën dhe impenjimin e djemve, nuk e kam pasur shumë të vështirë sezonin nga ana sportive.”
“Vështirësitë më të mëdha i patëm në momentin që filluan ndërhyrjet në punët e ekipit, – ka vijuar ai. – Pavarsisht kësaj, ne i kaluam këto probleme vetëm falë dëshirës së madhe për ta parë ekipin në Superligë. Gjithsesi, jemi pak të mërzitur që unë dhe lojtarët e ekipit, pavarësisht këtij sukses të arritur, nuk jemi uruar ende nga titullari i klubit.”
“Përtej kësaj, ne do të vazhdojmë në rrugën e nisur edhe për sezonin që vjen, në të cilin baza e ekipit do të jetë po kjo, shtuar këtu 2 apo 3 blerje, të cilat nuk mund t’i themi për momentin”, – përfundoi trajneri i Teutës në basketboll për meshkuj, Bekim Abrazhda.