AlbanianSport.com 06/05/2020 21:55
ASNN – Një sezon në “status-quo”. Teksa futbolli në Itali po përgatitet për t’u rikthyer, nuk ndodh e njëjta gjë me basketbollin. Ky sport vlerësohet shumë në Gadishullin e Apenineve, sigurisht jo sa futbolli, por ky sezon do të mbyllet pa festë. Federata Italiane e Basketbollit (FIP) ka marrë vendimin për të mos filluar sezonin e lënë përgjysmë prej virusit korona.
Në nivelin më të lartë të kampionatit italian të basketbollit për meshkuj, në Serinë A, Virtus Bolonja mban vendin e parë, me 4 pikë më shumë se Sasari dhe një ndeshje më pak. Skuadra e njohur priste titullin “kampion”, por diçka e tillë nuk do të ndodhë. “Siç është vendosur në 15 prill, Këshilli Federal ka urdhëruar përfundimin e sezonit sportiv 2019-2020 të kampionatit të Serisë A dhe Serisë A2”, – thuhet në komunikatën e FIP-së.
“Këshilli vendosi të mos caktojë titujt e kampionit për Serinë A dhe A2, të mos rrëzohet nga kategoria asnjë skuadër nga Seria A, të mos ngjitet asnjë skuadër në elitë nga Seria A2, njëkohësisht të mos rrëzohet askush nga kjo kategori”, vijon më tej komunikata e organizmit që qeveris koshin italian. Në fakt, ky është një lajm i keq edhe për një protagonist shqiptar të basketbollit italian.
Pasi e kishte shpëtuar sezonin e shkuar skuadrën e tij, Ferrarën, nga rënia një kategori më poshtë sezonin e shkuar, duke përmbushur me sukses një mision deri atë të pamundur, trajneri shqiptar Spiro Leka e kishte udhëhequr këtë ekip drejt një sezoni mjaft të mirë në Divizionin Lindor të nivelit të dytë të koshit italian të meshkujve, Serisë A2, një sezon që madje premtonte mjaft.
Me 15 fitore të arritura në 25 ndeshje të deritanishme dhe 30 pikë të grumbulluara, Ferrara e ish-basketbollistit të Partizanit dhe Kombëtares kuqezi të koshit ndante vendin e 3-të dhe të 4-t me Veronën dhe ishte në rrugë të mbarë për ta vijuar më tej betejën për ngjitjen një nivel më lart, në Serinë A. Dhe për një ekip me një buxhet modest si Ferrara, kjo ishte padyshim një arritje.
Por tanimë gjithçka është zhvlerësuar nga vendimi i Federatës Italiane të Basketbollit dhe trajnerit i mbetet të përqendrohet tek puna me skuadrën për sezonin tjetër, një tjetër sezon në Serinë A2, por ku sidoqoftë do të synohet konsolidimi i punës së bërë gjatë sezonit aktual. Kujtojmë këtu se vitin e shkuar, Spiro Leka nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me skuadrën e Ferrarës.