AlbanianSport.com 11/11/2018 10:10
ASNN – Në Kampionatin e Kosovës në basketboll për femrave është regjistruar një rekord i ri dhe ka të bëjë me pikët individuale që shënoi sportistja Marigona Rushiti, në takimin Vushtrri-Prishtinë, ku ajo realizoi e vetme plot 116 pikë.
Më herët rekordin e pikëaverazhit të një sportisti të vetëm në një ndeshje në Kosovë e mbante Granit Rugova me 110 pikë (shënuar në vitin 2009), por basketbollistja Rushiti vuri këtë herë një rekord të ri, gati të pabesueshëm, sepse shifra të tilla është e vështirë t’i shënojë një skuadër e plotë e jo më një sportiste e vetme.
Theksojmë se Prishtina e fitoi ndeshjen me Vushtrrinë me shifrat shumë të thella 126-31 dhe diferencat midis skuadrave u reflektuan edhe në shënimin e shumë pikëve prej Rushitit.
Rekordin e mëparshëm në basketbollin e femrave e mbante Arta Mustafa me 70 pikë të realizuara në vitin 2016. Sipas mediave të Kosovës, sportistja ka shprehur lumturinë e saj për rekordin dhe e sheh si motivim për karrierën e saj.