AlbanianSport.com 01/06/2020 22:25
ASNN – Siç dihet Federatat e Basketbollit të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë nisur punën për krijimin e një lige të përbashkët, ku synohet të përfshihen edhe skuadra nga Maqedonia e Veriut, por edhe Mali i Zi. Kështu, sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, në rajon do të formohej edhe një ligë rajonale e basketbollit. Dy të tilla ekzistojnë tashmë, Liga ABA me skuadrat më të mira nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e Serbia, si dhe me skuadra edhe nga Maqedonia e Veriut në kategorinë e dytë.
Ekziston edhe Liga Ballkanike (BIBL), në të cilën së fundi luajtën skuadra nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria e Mali i Zi. Por nga edicioni i ardhshëm mund të formohet edhe një ligë tjetër rajonale, me skuadra nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia. Presidenti i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë, Georgi Glushkov është duke punuar në këtë ide. “Ne tashmë jemi duke punuar fuqishëm në këtë”, – , ka thënë Glushkov për faqen bullgare në Internet, monitor.bg.
“Ne duhet të orientohemi shpejt, të marrim të dhëna, – ka vijuar ai. – Po punoj për një takim me liderët e federatave fqinje. Mendoj se afati i fundit është deri më 15 korrik 2020 për t’u organizuar. Më pas do të jetë shumë më vështirë, pasi duhet të punojmë për kalendarin dhe kampionatin kombëtar. Ka opsione për të përfshirë ekipet greke dhe serbe. Ne kemi raporte të mira me këto vende.” Ligat rajonale shihen si mundësi për ngritje të cilësisë e sidomos të interesimit të shikuesve.
Tashmë dihet që në ligat ku merr pjesë Kosova nuk merr pjesë Serbia dhe e kundërta. Të hënën Liga Ballkanike, që zotërohet nga ish-gjyqtari i basketbollit, izraeliti Shej Shtriks, por që e ka humbur thuajse plotësisht vlerën, ka bërë të ditur se shpreson që edicionin e ardhshëm t’i ketë dy skuadra nga Kosova. Por nga FBK-ja kanë lënë të kuptohet në shumë raste se nuk kanë më interes për të marrë pjesë në Ligën Ballkanike, ashtu sikundër nuk ka interes as FSHB-ja.
Duke qenë se Liga ABA mbetet e paarritshme për shkak të ndikimit të Serbisë, FBK-ja ka nisur punën me FSHB-në për një ligë rajonale, me synim që të përfshihen edhe ekipet nga Maqedonia e Veriut, por edhe të Malit të Zi. Ndërkohë, FBK-ja tashmë ka përcaktuar skuadrat që do të garojnë në ligën, që të paktën të jetë e përbashkët me Shqipërinë.
“Ideja e kahmotshme e themelimit të një lige të përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të realizohet nga edicioni 2020-2021, – pati deklaruar kohë më parë Presidenti i FBK-së, Arben Fetahu. – Marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit të Ligës Rajonare në Basketboll do të formalizohet gjatë qershorit, për një periudhë 4-vjeçare.” Ndërkohë, Shqipëria pret mbylljen e sezonit aktual për të përcaktuar 4 ekipet që do të marrin pjesë.