AlbanianSport.com 29.09.2015 07:55
ASNN – Organizmi që qeveris Ligën Ballkanike në Basketboll për Meshkuj (BIBL) arriti një 3-vjeçar-marrëveshje me kompaninë e mirënjohur shqiptare dhe rajonale të sigurimeve “SIGAL-UNIQA”, pjesë e Grupit Austriak “UNIQA Insurance Group”. Kësisoj, që nga sezoni 2015-2016 e për dy sezonet e mëpasme, “BIBL”-ja do të emërtohet zyrtarisht “Liga Ballkanike SIGAL UNIQA”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kreu Ekzekutiv i “SIGAL UNIQA”, Avni Ponari, i cili është njëkohësisht edhe President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, dhe Drejtori Sportiv i BIBL-së, Shej Shtriks.
“BIBL-ja është e lumtur dhe krenare t’ju njoftojë se nga sezoni 2015-2016 ne kemi një emërtim të ri të markës dhe tashmë do të quhet “Liga Ballkanike “SIGAL-UNIQA”, pasi në fillim të këtij muaji, drejtuesit e saj arritën një marrëveshje 3-vjeçare me “SIGAL UNIQA”-n, pjesë e Grupit Austriak “UNIQA Insurance Group””, – shkruhet në një deklaratë për shtyp të shpërndarë për mediat nga organizmi që qeveris Ligën Ballkanike në Basketboll për Meshkuj. Grupi “UNIQA” është një nga grupet kryesore të sigurimit në tregjet e saj kryesore të Austrisë dhe Evropës Qendrore e Lindore.
Ky grup ka në përbërje rreth 40 kompani në 19 vende të ndryshme të Evropës, që u shërbejnë më shumë se 10 milionë klientëve. Me qendër në Austri dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, Grupi “UNIQA” operon në Austri, Shqipëri, Bosnj-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Republikën Çeke, Hungari, Itali, Kosovë, Lihtenshtajn, Maqedoni, Mal të Zi, Poloni, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Zvicër dhe Ukrainë, ku kompanitë e saj pozicionohen në krye të tregut të sigurimeve dhe produkteve përkatëse në shumë prej këtyre vendeve.
“BIBL-ja është jashtëzakonisht krenare që një kompani me reputacionin dhe përmasat e “SIGAL UNIQA Group” ka rënë dakord të bashkëpunojë me projektin tonë në Ballkan dhe na dha mundësinë për t’u përfaqësuar me emrin e saj për 3 vitet e ardhshme, – vijon më tej deklarata për shtyp e Ligës Ballkanike. – Kjo tregon dhe dëshmon se, edhe pse Liga Ballkanike organizohet vetëm në Ballkan, me punën tonë të mirë dhe përfitimet për komunitetet lokale, duke zhvilluar sportin, kemi fituar besimin e një markë të tillë të njohur.”
“Megjithatë, njeriu pas kësaj të gjithë, me përpjekjet e mëdha dhe besimin tek ne dhe ajo që ne po bëjmë, është Z. Avni Ponari, Kreu Ekzekutiv i “SIGAL UNIQA”-s, – thekson deklarata në fjalë. – Duke qenë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, zoti Ponari është një mik i madh dhe përkrahës i lojës basketbollit. Ai ka punuar pa pushim për të promovuar basketbollin, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, ku “SIGAL UNIQA” ka pjesën më të madhe të tregut, por në të gjithë rajonin.”
“Tani, duke marrë përsipër edhe detyrën për t’u bërë edhe pjesë e Ligës Ballkanike, zoti Ponari i shton edhe një arritje tjetër koleksionit të tij pasur të vlerësimeve, krahas çmimeve dhe vlerësimeve të shumta që ai ka marrë në vendin e tij, Shqipëri, por edhe anembanë Evropës, ku ai është gjithashtu edhe anëtar i Komisionit të Financave të FIBA Evropës”, – përfundon deklarata e BILB-së. Sezoni i Ligës Ballkanike “SIGAL UNIQA” nis më 13 tetor 2015, me ndeshjen që do të luhet në Kosovë midis dy ekipeve vendase, Bashkimit dhe Pejës.